Rebelimi i Wagner, SHBA: Tregon “krisje të madhe” në sundimin e Putinit

Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se rebelimi i shkurtër i komandantit të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë tregon "krisje serioze" në sundimin prej dy dekadash të Presidentit Vladimir Putin dhe "vë në dyshim premisën" e luftës së tij 16-mujore kundër Ukrainës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në emisionin “This Week” të televizionit ABC, se lufta “ka qenë një dështim i rëndë strategjik për Putinin në pothuajse çdo front, qoftë atë ekonomik, ushtarak apo gjeopolitik”.
“Po shohim se po shfaqen krisjet e para," tha zoti Blinken duke iu referuar rebelimit të Prigozhinit ndaj Presidentit Putin. “Nëse këto krisje do thellohen apo se ku do të çojnë kur kjo të ndodhë, është shumë e vështirë të thuhet. Nuk dua të spekuloj për të. Por nuk mendoj se e kemi parë aktin final”.
Kryediplomati amerikan tha se janë ende të paqarta pasojat e rebelimit të grupit Wagner kundër Moskës, një marshim që u ndërpre pak para se trupat mercenare të arrinin në kryeytetin rus.
Zoti Blinken tha se Presidenti Joe Biden foli me udhëheqësit perëndimorë nga vendpushimi presidencial Camp David, jashtë Uashingtonit si dhe bisedoi me zyrtarët amerikanë të sigurisë kombëtare, por nuk e kishte telefonuar Presidentin Putin.
Sekretari Blinken tha se “sfida e drejtpërdrejt ndaj autoritetit të Putinit” tregoi se lufta e Moskës në Ukrainë “është shoqëruar me pretendimet e rreme, se NATO-ja përbën kërcënim për Rusinë”.
Por ankesat e shpeshta të komandatit Prigozhin për zyrtarët e lartë tëmbrojtjes ruse janë përqendruar tek pretendimet se ata nuk po furnizonin mercenarët e tij me armë të mjaftueshme për të luftuar në Ukrainë.
Zoti Blinken tha se trazirat e krijuara në Rusi pas rebelimit të Yevgeny Prigozhinit "mund të ndihmojnë ukrainasit në frontin e betejës".
Por David Petraeus, gjeneral në pension i ushtrisë amerikane dhe ish-shefi i CIA-s, tha në emisionin "State of the Union" të rrjetit CNN se "për fat të keq, (rebelimi) nuk ka pasur një ndikim domethënës në vijat e frontit".
Ai tha gjithashtu se rebelimi i Prigozhinit e ka bërë Presidentin Putin "më të cënueshëm se kurrë më parë gjatë këtyre dy dekadave”.

Gjenden 43 milionë euro në hotelin ku qëndronte kreu i Wagner
Sasi te medha parash jane zbuluar nga autoritetet.
Gjatë kontrollit në hotelin Trezzini në Shën Petersburg, që besohet të jetë zyra e kreut të Wagner, Yevgeny Prigozhin, dyshohet se u gjetën para në vlerë prej 4 miliardë rubla, afërsisht 43 milionë euro.
Kjo u raportua nga një korrespondent i Fontanka, media ruse. Nga erdhën paratë, kujt i përkisnin dhe për çfarë synoheshin nuk është ende e qartë.
Përveç tufave me rubla, në strehë u gjetën pasaporta false me një foto të liderit të Wagner, si dhe armë dhe madje edhe shufra ari.
Cfare tregoi rebelimi i Wagner

Rebelimi i grupit mercenar rus, Wagner dhe liderit të tij, Yevgeny Prigozhin kundër udhëheqësisë së Rusisë - teksa zhvillohet lufta në Ukrainë - ka shpërfaqur “dobësi të thella” të sistemit rus të sigurisë, kanë thënë ekspertët perëndimorë.
Rebelimi mund të dobësojë edhe moralin e ushtarëve rusë në front të luftës, sipas një raporti të publikuar nga Instituti për Studime të Luftës, me seli në Uashington.
“Rebelimi i Prigozhinit ka shpërfaqur dobësi të thella në Kremlin dhe Ministrinë ruse të Mbrojtjes”, është thënë në raport.
Sipas raportit, marrëveshja e negociuar nga udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko, që Prigozhin duhet të shkojë në Bjellorusi, ofron vetëm zgjidhje afatshkurtër.
Instituti ka vlerësuar se mercenarët e Wagnerit do të mund të arrinin në paralagje të Moskës, nëse Prigozhin do t’i lejonte.
Ky veprim, është thënë në raport, ka vënë në pah mungesën e rezervave të ushtrisë ruse.
“Rebelimi i Prigozhinit e ka ilustruar që forcat ruse kanë mungesa në shumë aspekte dhe ka shumë mundësi që kjo situatë të ulë moralin e personelit rus në Ukrainë”.
Forcat ukrainase mund ta përdorin këtë njohuri teksa “tentojnë të thyejnë mbrojtjen ruse”.
Instituti ka thënë, po ashtu, se me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Lukashenko, Wagner me siguri nuk do të ekzistojë si grup i pavarur në krye me Prigozhinin, por disa pjesë do t’i bashkohen Ministrisë së Mbrojtjes.
Mes tjerash, Instituti ka vlerësuar se ideja që udhëheqësi bjellorus të ndalojë avancimin ushtarak drejt Moskës, përbën përçmim për presidentin rus, Vladimir Putinin./rel


