Fundi i Maduros? SHBA-të gati planin sekret

Shtetet e Bashkuara janë gati të nisin një fazë të re të operacioneve në lidhje me Venezuelën ditët në vijim, thanë katër zyrtarë amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters, ndërsa administrata Trump shton presionin mbi presidentin Nicolás Maduro.
Sipas Reuters, raportet për veprime janë përhapur javët e fundit, ndërsa ushtria amerikane ka vendosur forca në Karaibe pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Venezuelën.
Dy nga zyrtarët amerikanë bënë të ditur se operacionet e fshehta janë faza e parë e veprimeve kundër Maduros. Një zyrtar i lartë i administratës Trump ka deklaruar se nuk përjashtohet asgjë në lidhje me Venezuelën. Sipas tij, presidenti Trump është i përgatitur të përdorë çdo element të pushtetit amerikan për të ndaluar drogën që të vërshojë në SHBA dhe për t’i çuar përgjegjësit para drejtësisë.
Për administratën amerikane, Maduro ka rol të rëndësishëm në furnizimin me drogë të Amerikës duke vrarë kështu edhe qytetarët amerikanë. Pretendime, të cilat janë hedhur poshtë nga presidenti venezuelian. Dy zyrtarë amerikanë i thanë Reuters se opsionet që po diskutohen përfshijnë përpjekjen për të rrëzuar Maduron.
Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-ve i paralajmëroi linjat ajrore kryesore për një situatë të rrezikshme kur fluturonin mbi Venezuelë dhe u kërkoi të tregonin kujdes.
Tre linja ajrore ndërkombëtare anuluan fluturimet nga Venezuela.
Maduro, në pushtet që nga viti 2013, ka pohuar se Trump kërkon ta rrëzojë atë dhe se qytetarët e ushtria venezueliane do t’i rezistojnë çdo përpjekjeje të tillë. Prej disa muajsh një flotë ushtarake ndodhet në Karaibe dhe Trump ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë.


