Çfarë po ndodh me Indinë? Covid-19 shkatërron popullësinë, 379,257 raste të reja në 24 orë

Covid-19 vazhdon të shkatërrojë Indinë. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se në 24 orët e fundit janë regjistruar 379,257 raste të reja dhe 3,645 viktima. Po ashtu, po i njëjti informacion, tregon se numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar tashmë 18.3 milionë, ndërsa i viktimave është 204,832.
Më herët kemi raportuar se India po kalonn valën më të rëndë të pandemisë botërore, që ka nisur që nga marsi i 2020. Aktualisht, spitalet janë në kolaps, ka mungesë të theksuar të oksigjenit, medikamentesh.
Në sajë të kësaj situate, SHBA ka ofruar ndihmë, konkretisht, ka njoftuar një ditë më parë se do të dërgojë mbi 100 milionë dollarë furnizime në Indi, përfshirë 1,000 bombola oksigjeni, 15 milionë maska dhe një milion teste të shpejta diagnostikuese. Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se mbi 20 milionë doza të vaksinës AstraZeneca, të destinuara për SHBA-në, do të shkojnë në Indi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në azhurnimin e saj javor se India përbën 38 për qind të 5.7 milionë rasteve me koronavirus, të raportuara në të gjithë botën javën e kaluar. Koronavirusi ka prekur afro 150 milionë njerëz në botë. Prej tyre, mbi 3 milionë kanë vdekur dhe mbi 86 milionë janë shëruar. Vendi më i prekur është SHBA-ja, me mbi 32 milionë të infektuar dhe mbi 574,000 viktima.


