Çfarë është karteli OPEC dhe pse po largohen Emiratet e Bashkuara Arabe, pasojat për naftën

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar zyrtarisht se do të largohen nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleanca OPEC+, duke filluar nga 1 maji.
Sipas ministrit të Energjisë Suhail Al Mazrouei, vendimi vjen si pjesë e një rishikimi strategjik afatgjatë të politikave energjetike të vendit dhe nevojës për t’iu përshtatur rritjes së kërkesës globale për energji. Ai theksoi se “bota do të ketë nevojë për më shumë energji”, duke përmendur zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave si faktorë kryesorë.
Pas largimit nga OPEC, Emiratet pritet të kenë liri të plotë për të vendosur vetë nivelin e prodhimit dhe eksportit të naftës, pa qenë të detyruara të respektojnë kuotat e organizatës.
OPEC, i krijuar në vitin 1960, bashkon vendet kryesore prodhuese të naftës dhe synon të rregullojë tregun global përmes kuotave të prodhimit. Largimi i Emirateve konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm që mund të ndikojë në ekuilibrat e tregut energjetik global.
OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) është një organizatë ndërqeveritare e krijuar në Bagdad në vitin 1960. Me pak fjalë, është një grup shtetesh që prodhojnë naftë dhe bien dakord mes tyre për sa naftë do të nxjerrin në treg. Qëllimi është të mbajnë nën kontroll tregun dhe çmimet. Selia e OPEC ndodhet në Vjenë dhe vendimet merren bashkërisht. Organizata cakton kuota prodhimi për çdo vend anëtar. Kur vendos të rrisë ose ulë prodhimin global, ndikon drejtpërdrejt në ofertën dhe kërkesën – dhe si rrjedhojë, në çmimin e naftës. Aktualisht, pjesë e OPEC janë vende si Algjeria, Arabia Saudite, Kongo, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gaboni, Guinea Ekuatoriale, Irani, Iraku, Kuvajti, Libia, Nigeria dhe Venezuela. Angola është larguar në vitin 2024. Ndërkohë, OPEC+ është një grup më i gjerë që përfshin vendet e OPEC dhe edhe 10 prodhues të tjerë, të udhëhequr nga Rusia. Sipas ekspertit të naftës Salvatore Carollo, ky nuk është një organizim formal – është më shumë një bashkëpunim vullnetar, pa strukturë të fortë.
Mesazhi për Trump
Ky vendim mund të lexohet si një përpjekje e Emirateve për të qenë më të pavarura dhe për të menaxhuar vetë kapacitetin e tyre prodhues, i cili është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Kjo vjen në një moment kur lufta me Iranin ka shkaktuar një tronditje të fortë energjetike dhe ka destabilizuar ekonominë globale. “Duke pasur parasysh që pesha e OPEC është ulur dhe roli i Emirateve ka qenë më shumë në hije krahasuar me Arabinë Saudite – shprehet eksperti i naftës Salvatore Carollo – me këtë lëvizje Emiratet kanë dhënë një sinjal paralajmërues për Iranin, për mundësinë e shpërbërjes së një politike të përbashkët të vendeve të Gjirit. Kjo mund të shihet edhe si një mesazh për Donald Trump, për rrezikun që të shpërbëhet çdo formë kontrolli mbi tregun ndërkombëtar të naftës. Pra, janë sinjale të tërthorta që vënë në diskutim mënyrën si qeveriset tregu global i naftës, përfshirë edhe rolin e Brent dhe dollarit. Megjithatë, sipas tij, nuk bëhet fjalë për një goditje ndaj Arabisë Saudite, pasi Emiratet dhe sauditët zakonisht veprojnë në të njëjtën linjë.”


