Ekspertja e OKB-së: Izraeli torturon sistematikisht palestinezët në paraburgim

Franceska Albanese, eksperte e Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se Izraeli po ushtron torturë sistematike ndaj palestinezëve në paraburgim, në një shkallë që sipas saj “sugjeron hakmarrje kolektive dhe qëllim shkatërrues”.
Në një raport të publikuar të premten, Albanese, thekson se që prej 7 tetorit 2023, palestinezët në paraburgim “janë përballur me abuzime jashtëzakonisht të rënda fizike dhe psikologjike”, raporton Al Jazeera.
Raporti, i titulluar “Tortura dhe gjenocidi”, analizon përdorimin sistematik të torturës ndaj palestinezëve nga territori i pushtuar, duke pretenduar se ajo është përdorur në një shkallë të paprecedentë si formë ndëshkimi kolektiv.
Sipas dokumentit, praktikat e raportuara përfshijnë rrahje brutale, dhunë seksuale, keqtrajtim fatal, uri të detyruar dhe privim sistematik nga kushtet më bazë të jetesës. Këto, sipas raportit, kanë shkaktuar pasoja të rënda dhe afatgjata në shëndetin fizik dhe mendor të mijëra palestinezëve.
Raporti thekson se tortura është bërë pjesë integrale e një sistemi dominimi dhe ndëshkimi, që prek burra, gra dhe fëmijë, si nëpërmjet abuzimeve në paraburgim, ashtu edhe përmes zhvendosjeve të detyruara, vrasjeve masive dhe shkatërrimit të mjeteve të jetesës.
Albanese deklaron se ka mbledhur të paktën 300 dëshmi me shkrim. Ajo gjithashtu nënvizon se dënon pa ekuivok çdo formë torture nga të gjitha palët, përfshirë grupet e armatosura palestineze, por ky raport fokusohet në veprimet e Izraelit.
Sipas raportit, numri i arrestimeve të palestinezëve është rritur ndjeshëm që nga tetori 2023, me mbi 18 mijë e 500 persona të ndaluar, përfshirë të paktën 1 mijë e 500 fëmijë. Aktualisht, rreth 9 mijë persona mbeten në paraburgim, ndërsa më shumë se 4 mijë raportohen si të zhdukur me forcë.
Albanese i bën thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë çdo formë torture dhe keqtrajtimi, ndërsa u kërkon vendeve të tjera të ndërmarrin veprime për të ndaluar “shkatërrimin e asaj që ka mbetur nga Palestina”. Ajo gjithashtu i kërkon Prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të shqyrtojë lëshimin e urdhër-arresteve për disa zyrtarë të lartë izraelitë.
Raporti pritet të prezantohet në UN Human Rights Council të hënën. Megjithatë, theksohet se raportuesit specialë janë ekspertë të pavarur dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të OKB-së.
Autoritetet izraelite dhe disa aleatë të tyre kanë kritikuar më herët Albanese për qëndrimet e saj, duke i cilësuar ato si të njëanshme. Nga ana tjetër, disa vende evropiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë bërë thirrje për dorëheqjen e saj pas deklaratave të mëparshme publike./tvklan


