Ekspertët: Qyteti me 24 milionë banorë rrezikon "zhdukjen"

Bota

Ekspertët: Qyteti me 24 milionë banorë rrezikon

Eskpertët paralajmërojnë se qyteti nigerian Lagos, i cili shtrihet buzë Atlantikut, mund të bëhet i pabanueshëm brenda fundit të këtij shekulli, për shkak të rritjes së nivelit të detit dhe ndryshimeve klimatike.

Gjatë këtij viti, banorët e qytetit më të populluar të Afrikës, përjetuan një prej përmbytjeve më të mëdha të viteve të fundit.

Përmbytjet paralizojnë aktivitetin ekonomik të qytetit, me një kosto të përllogaritur rreth 4 miliardë dollarë në vit.

Sistemi i papërshtatshëm i kanalizimeve dhe rritja e pakontrolluar të popullsisë ndërlikon edhe më shumë problemin.

Në shtator, Agjencia Hidrologjike e Nigerisë, ka parashikuar një tjetër përmbytje katastrofale. Sipas ambientalistëve vendas, fakti që qyteti është ndërtuar shumë pranë detit dhe në një pjesë ishullore, e bën shumë të vështirë përballjen me rritjen e nivelit të ujërave.

Në të gjithë botën, niveli i detit është parashikuar të rritet më shumë se 2 metra, deri në fund të këtij shekulli. Kjo do të bënte që Lagosi të zbriste në 2 metra mbi nivelin e detit dhe rreziku i përmbytjeve të shumëfishohet. Vetëm në vitin e kaluar, më shumë se 2 milionë persona u prekën nga përmbytjet, ndërsa 69 humbën jetën.

Shpresa për të ndryshuar fatin është vendosur te qeveria qendrore, e cila ka premtuar të ngrejë një projekt kombëtar për të luftuar fenomenin. 

ME TE LEXUARAT