E përplasi furgoni, humb jetë pas 4 ditësh 11-vjeçarja shqiptare në Itali

Bota

E përplasi furgoni, humb jetë pas 4 ditësh 11-vjeçarja

Një 11 vjeçare ka humbur jetën këtë të enjte në Itali, pas një aksidenti të bërë 4 ditë më parë. Mediat italiane bëjnë me dije se e mitura shqiptare, Emanuela Brahja është aksidentuar mbrëmjen e së hënës vetëm pak metra larg shtëpisë së saj, në Reschigliano.

Brahja ka ndërruar jetë vetëm një javë pasi kishte humbur gjyshin e saj në Shqipëri, dhe familja e saj akoma pa kaluar një dhimbje është zhytur në një tjetër dhimbje.

Të afërmit e adoleshentes kanë udhëtuar drejt Italisë me shpresën se ajo do ja dilte, por fatkeqësisht ajo ka humbur jetën në repartin e reanimacionit në spitalin e Padovas.


Agron dhe Esmeralda Brahja kanë edhe dy vajza më të rritura, njëra 20 vjeç dhe tjetra mbush 18 pikërisht sot, një ditë në të cilën gëzimi ia ka lënë vendin hidhërimit.

Ngjarja ka ndodhur të hënën në orën 19:10, në momentin që Emanuela po kthehej në shtëpi me biçikletë. Nga rruga Papa Luciani kaloi në rrugën Pontarola, pak metra larg vijave të bardha, teksa afrohej një furgon Mercedes, i drejtuar nga një venecian 36-vjeçar. Ndonëse ishte me shpejtësi vetëm 40 km/orë dhe rruga e ndriçuar, goditja ishte e pashmangshme dhe trauma në kokë fatale për vajzën.

Një nga banorët, ndër të parët që shkoi në vendngjarje, tregon se drejtuesi i mjetit ishte ulur në rrugë i tronditur dhe dridhej nga ajo çka kishte ngjarë. Prokuroria do ta hetojë shkaktarin për vrasje rrugore, ndërkohë që testi i alkoolit ka dalë negativ.


Ndërkohë të afërmit prekin me mesazhet e tyre të ngushëllimit në rrjetet sociale.

ME TE LEXUARAT