Dy paqeruajtës të OKB-së plagosen nga sulmi izraelit në Liban
Dy paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara janë plagosur të premten nga një sulm izraelit në afërsi të një kulle vrojtimi në jug të Libanit, tha ushtria izraelite.
Kjo ishte hera e dytë që baza kryesore e forcave paqeruajtëse të OKB-së, UNIFIL, në Liban tronditët nga shpërthimet në dy ditët e fundit gjatë konfliktit të Izraelit me Hezbollahun.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
UNIFIL tha se incidenti “është një zhvillim serioz”, dhe theksoi se siguria e personelit dhe pronës së OKB-së duhet të garantohen.
Franca e qortoi ambasadorin e Izraelit në Paris, dhe pastaj e lëshoi një komunikatë të përbashkët me Italinë dhe Spanjën, duke thënë se sulme të tilla janë “të pajustifikueshme”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se i ka kërkuar Izraelit të mos shtie ndaj forcave të UNIFIL-it.
Ushtria izraelite shprehu "shqetësim të thellë" për plagosjen e dy paqeruajtësve, dhe tha se ata u plagosën nga ushtria izraelite kur ajo po luftonte kundër Hezbollahut. Sipas saj, ata ishin paralajmëruar disa orë më parë që të strehoheshin.
Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas, në fillim të luftës në Gaza.
Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – kreu një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz.
Në javët e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Bekaa, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit. Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.
Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e Izraelit të sigurt për dhjetëra mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu.
Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 2.100 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.
Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 54 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite./rel