Dhjetra fëmijë të vdekur nga mungesa e ushqimit në Gaza, kërkohen 250 mijë kanaçe formule në muaj

Situata humanitare në Rripin e Gazës po përkeqësohet me ritme alarmante. Dhjetëra fëmijë kanë humbur jetën për shkak të mungesës së ushqimit, ndërsa autoritetet lokale bëjnë thirrje për ndihmë urgjente.
Zyra qeveritare e medias në Gaza njoftoi se aktualisht nevojiten rreth 600 kamionë ndihma në ditë dhe 250,000 kanaçe formulë për foshnje çdo muaj për të përmbushur nevojat minimale të popullsisë, e cila po përballet me uri masive.
Në një deklaratë publikuar në Telegram, thuhet se “zgjidhja radikale dhe urgjente” është hapja e kalimeve kufitare pa kushte dhe thyerja e bllokadës izraelite, që ka izoluar plotësisht civilët brenda zonës së luftës.
Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë njoftuar dje një “pauzë taktike lokale” të operacioneve ushtarake, me qëllim lehtësimin e dërgimit të ndihmave humanitare. Kjo pauzë do të zgjasë çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00, deri në një njoftim të dytë.
Pavarësisht këtij vendimi, realiteti në terren mbetet dramatik. Qytetarët nuk kanë ushqim, ujë të pijshëm, ilaçe apo strehim të sigurt. Spitalet janë jashtë funksioni, dhe numri i të vdekurve po rritet çdo ditë. Fëmijët janë më të prekurit.
Autoritetet ndërkombëtare dhe organizatat humanitare janë në alarm, por lëvizja e ndihmave është penguar vazhdimisht nga kufizimet ushtarake dhe pengesat logjistike. Gaza është kthyer realisht në një kamp urie, ku shpresa po shuhet bashkë me jetët e pafajshme.


