Zjarri në malin e Skërficës, ndërhyrje intensive për të ndaluar përhapjen drejt Gjirokastrës

Aktualitet

Zjarri në malin e Skërficës, ndërhyrje intensive për

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00, shërbimet zjarrfikëse të Gjirokastrës, në bashkëpunim me forcat mbështetëse të Bashkisë Gjirokastër, kanë ndërhyrë për të ndaluar përhapjen e një zjarri të fuqishëm në malin e Skërficës. Flakët po avancojnë nga territori i Delvinës drejt Gjirokastrës, duke kërkuar një reagim të shpejtë dhe të koordinuar.

Në operacion janë përfshirë 6 punonjës të MZSH-së në Gjirokastër dhe 15 punonjës të shërbimeve publike të bashkisë. Terreni i vështirë kërkon një përpjekje të madhe për të izoluar zjarret dhe për të parandaluar përhapjen në zona të banuara apo me interes pyjor.

Ndërkohë, situata në vargmalin Fushë-Bardhë – Zhulat, ku dje ishin aktive disa vatra zjarri, është nën kontroll të plotë. Zjarri është shuar në këtë zonë, ndërsa në fshatin Zhulat vazhdon djegia e disa trungjeve të mëdha, por pa rrezik për përhapje. Këto vende po monitorohen nga shërbimi zjarrfikës për të parandaluar çdo rindezje të mundshme.

Autoritetet e MZSH-së në Gjirokastër qëndrojnë në gatishmëri të lartë dhe bëjnë apel për bashkëpunim nga banorët lokalë, duke kërkuar që të raportojnë menjëherë çdo shenjë zjarri dhe të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë rindezjen e flakëve.

ME TE LEXUARAT