Brazil/ 28-vjeçarja humb jetën nga një plumb qorr gjatë përplasjes mes bandave në Rio de Janeiro

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, pasi një 28-vjeçare humbi jetën nga një plumb qorr gjatë një përleshjeje mes bandave rivale në Rio de Janeiro.
Vdekja e Barbara Elisa Yabeta Borges ka shkaktuar trishtim të madh në vend, vetëm pak ditë pas një operacioni masiv të autoriteteve në favelat e qytetit, ku u raportua se të paktën 100 persona u vranë.
Barbara, e cila punonte si punonjëse banku dhe blogere udhëtimesh, ndodhej në sediljen e pasme të një taksie kur anëtarë të bandave filluan të qëllonin pranë urës Fundão në Rio de Janeiro.
Sipas drejtuesit të taksisë, të shtënat u dëgjuan teksa po kalonin në zonë dhe Barbara u godit në kokë, raportoi Daily Mail.
Ajo u transportua me urgjencë në spitalin Geral de Bonsucesso, por fatkeqësisht mjekët nuk arritën ta shpëtonin. Policia që mbërriti në vendngjarje konfiskoi një pushkë, karikatorë dhe fishekë.
“Dëgjova një zhurmë të fortë, u përkula përpara dhe i thashë të futej poshtë. Më pas kuptova se ishte qëlluar. Isha i dëshpëruar. Ajo nxirrte disa tinguj, duke u përpjekur të merrte frymë. Në atë moment doja vetëm t’i shpëtoja jetën. Pak më vonë pashë një patrullë policie dhe ata më ndihmuan ta çoja në spital. Kishte aq shumë të shtëna, sa mendova se kishin hedhur bombë në makinën time,” tregoi shoferi për The Sun.


