Alarm në Itali/ 5 viktima nga Virusi i Nilit, autoritetet nisin dezinsektimin

Bota

Alarm në Itali/ 5 viktima nga Virusi i Nilit, autoritetet nisin

Numri i viktimave nga Virusi i Nilit në Itali ka arritur në pesë që nga fillimi i vitit. Pas një rasti të parë në rajonin Piemonte, katër viktima të tjera janë regjistruar në rajonet e Lazios dhe Campanias.

Rasti më i fundit u regjistrua në Napoli, ku një 74-vjeçar nga Pomigliano d’Arco ndërroi jetë në Spitalin “Ospedale del Mare”. Ai kishte probleme shëndetësore serioze, duke përfshirë insuficiencë renale dhe çrregullime të vetëdijes. Një tjetër viktimë ishte 80-vjeçari nga Maddaloni, i shtruar në spitalin e Casertës, ku vazhdon të trajtohet edhe një pacient tjetër me infeksion nga virusi. Në Lazio, një 77-vjeçar me probleme serioze shëndetësore, përfshirë transplantin e zemrës, gjithashtu humbi jetën.

Virusi i Nilit është një virus që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe shkakton tek shumica e njerëzve simptoma të lehta si ethe, lodhje dhe dhimbje koke.

Në raste më të rralla, ai mund të shkaktojë sëmundje serioze neurologjike, duke përfshirë meningjit, encefalit dhe paralizë, që mund të jenë edhe fatale, sidomos për njerëzit me imunitet të dobësuar apo me sëmundje kronike.

Përballë situatës alarmante, disa komuna italiane kanë nisur fushata dezinsektimi dhe dezinfektimi për të parandaluar përhapjen e virusit. Eksperti Francesco Vaia, ish-drejtor i Institutit Spallanzani dhe ish-drejtor për parandalimin në Ministrinë e Shëndetësisë, ka bërë thirrje për ndërhyrje sistematike dhe koordinim më të madh mes rajoneve italiane dhe shteteve të tjera për të frenuar përhapjen e virusit.

ME TE LEXUARAT