Rrëzohet një helikopter ushtarak në Gjermani, dy të vdekur dhe një tjetër ende i zhdukur

Bota

Rrëzohet një helikopter ushtarak në Gjermani, dy të vdekur

Një helikopter i forcave ajrore gjermane është rrëzuar gjatë një misioni stërvitor në lindje të Gjermanisë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën dy anëtarëve të ekuipazhit. Ngjarja ndodhi në afërsi të lumit Mulde, pranë qytetit Grimma, në landin e Saksonisë.

Ministria gjermane e Mbrojtjes konfirmoi se viktimat ishin pjesëtarë me përvojë të forcave ajrore, ndërsa vijon kërkimi për anëtarin e tretë të ekuipazhit, i cili rezulton ende i zhdukur.

Sipas informacioneve paraprake, helikopteri i rrëzuar ishte një mjet i llojit EC-135, i marrë me qira për qëllime stërvitore. Shkaqet e rrëzimit mbeten ende të panjohura, ndërsa hetimet janë në vijim.

Autoritetet lokale u vunë në lëvizje pas raportimeve nga qytetarë që po lundronin me kajak dhe panë mbeturina në ujë. Si masë paraprake, është ngritur një digë në një pjesë të lumit për të kufizuar rrjedhjen e vajgurit dhe ndotjen mjedisore.

Forcat ajrore gjermane janë në gatishmëri për të ndjekur çdo pistë të mundshme që mund të çojë në zbardhjen e kësaj tragjedie.

ME TE LEXUARAT