Atentat ndaj presidentit të Ekuadorit, Daniel Noboa

Bota

Atentat ndaj presidentit të Ekuadorit, Daniel Noboa

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, ka shpëtuar pa lëndime nga një incident i rrezikshëm që ka ndodhur gjatë një vizite zyrtare në provincën Cañar, ku autokolona e tij është rrethuar nga një turmë e madhe prej rreth 500 personash.

Sipas deklaratës së ministres së Mjedisit dhe Energjisë, Ines Manzano, turma ka goditur automjetin presidencial me gurë, ndërsa autoritetet kanë zbuluar më vonë edhe shenja dëmtimi nga plumbat në makinën e presidentit.

Kjo ka shtyrë qeverinë të klasifikojë ngjarjen si një tentativë për atentat ndaj kreut të shtetit.


Siç shkruan Reuters, ministrja Manzano konfirmoi se ka dorëzuar zyrtarisht kallëzimin për tentativë vrasjeje ndaj presidentit Noboa, ndërsa shtoi se pesë persona janë arrestuar në lidhje me incidentin.

Fatmirësisht, Presidenti Noboa ka dalë i padëmtuar nga kjo ngjarje e rëndë, e cila po hetohet intensivisht nga autoritetet ekuadoriane.

Ky incident ndodh në një kohë kur Ekuadori po përballet me një klimë të tensionuar politike dhe sociale, me rritje të ndjeshme të dhunës dhe pasigurisë publike.

Presidenti Noboa, i cili është në detyrë që prej vitit 2023, ka ndërmarrë një sërë reformash të forta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u përballur shpesh me kundërshtime të forta.

ME TE LEXUARAT