Bilanci, kaos e flakë në kryeqytet, përplasja 8-orëshe lë 40 të pra'ngosur dhe 5 policë në hetim

Aktualitet

Bilanci, kaos e flakë në kryeqytet, përplasja 8-orëshe
Tirana u zgjua pas një nate të gjatë tensioni dhe dhune, ku gurët, flakët, gazi lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës shënuan përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Bilanci: 40 persona të arrestuar, disa qytetarë të plagosur dhe pesë efektivë të pezulluar nga detyra. Në Spitalin e Traumës përfundoi edhe një 19-vjeçar nga Librazhdi, i cili pretendon se u dhunua nga policia, ndonëse nuk ishte pjesë e protestës.

Ajo që nisi pasditen e së martës si një protestë studentore përpara Ministrisë së Arsimit, u shndërrua në një nga netët më të tensionuara të ditëve të fundit në kryeqytet. Për më shumë se tetë orë, rrugët e Tiranës u kthyen në skena përplasjesh, ndërsa situata u përshkallëzua nga hedhja e sendeve të forta drejt institucioneve dhe efektivëve të policisë, deri te ndërhyrja e forcave të rendit me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome.

Tensionet nisën pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën vezë dhe përdorën sprej ndaj godinës. Më pas, situata doli jashtë kontrollit: u shkulën kangjella, ndërsa gurë, tulla dhe sende të tjera të forta u hodhën në drejtim të policisë dhe institucioneve.

Pas rreth një ore, policia ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur gaz lotsjellës, autobote me ujë dhe shkopinj gome. Përplasjet fizike vijuan, ndërsa protesta u zhvendos në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Rrugën e Durrësit dhe më pas Bashkinë e Tiranës, ku një pjesë e protestuesve hynë në katin e parë të godinës.

Gjatë mbrëmjes u raportuan të lënduar si mes protestuesve, ashtu edhe mes efektivëve të policisë. Në mesin e personave që kërkuan ndihmë mjekësore ishin edhe gazetare që po raportonin nga vendngjarja. Pamjet e përplasjeve dhe të ndërhyrjes së policisë shkaktuan reagime të forta, ndërsa Ambasada Amerikane u bëri thirrje qytetarëve të saj të shmangnin zonën për shkak të përshkallëzimit të situatës.

Mes rasteve të paraqitura në Spitalin e Traumës, më i rëndi ishte ai i 19-vjeçarit Ledion Balla, nga Librazhdi. I riu, i cili sipas informacionit të bërë publik nuk ishte pjesë e protestës, por kalimtar në zonë, ka deklaruar para mjekëve se këmbën ia thyen efektivët e policisë.

Balla pësoi frakturë të kërcirit të djathtë dhe u shtrua në pavionin e ortopedisë. Shefi i Urgjencës, Agustin Suma, bëri të ditur se gjendja e tij ishte e stabilizuar.

Dëshmia e 19-vjeçarit ngre pikëpyetje mbi rrethanat e ndërhyrjes policore dhe kërkon verifikimin e asaj që ndodhi gjatë përplasjeve. Pretendimi i të riut për dhunë nga efektivët duhet të hetohet për të përcaktuar përgjegjësit dhe rrethanat e dëmtimit.

Sipas bilancit mjekësor të bërë publik, qytetarët e tjerë të paraqitur në spital kishin kryesisht dëmtime të lehta. Shtatë efektivë policie morën ndihmë mjekësore dhe u larguan nga spitali. Nuk u raportuan viktima apo pacientë të intubuar, ndërsa në spital mbetën të shtruar vetëm protestues.

Pas më shumë se tetë orësh përplasjesh, bilanci i protestës përfshin 40 persona të arrestuar dhe disa qytetarë të plagosur, të cilët u dërguan për trajtim në Spitalin e Traumës.

Ndërkohë, pas ngjarjeve dhe pamjeve të dhunës gjatë ndërhyrjes policore, pesë efektivë u pezulluan nga detyra. Masa vjen në një moment kur veprimet e policisë gjatë protestës janë vënë në qendër të vëmendjes publike.

Nata u mbyll mes dëmeve materiale, të lënduarve dhe pikëpyetjeve mbi mënyrën se si u menaxhua situata. Nga njëra anë, hedhja e gurëve dhe sendeve të forta ndaj policisë dhe institucioneve shënoi përshkallëzimin e protestës; nga ana tjetër, dëshmia e 19-vjeçarit dhe pezullimi i pesë efektivëve rikthejnë në vëmendje çështjen e proporcionalitetit të forcës së përdorur nga uniformat blu.

Ndërkohë, protesta pritet të vijojë edhe ditën e sotme. Organizatorët kanë thirrur një tjetër tubim në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, një ditë pas përplasjeve të dhunshme në kryeqyte

ME TE LEXUARAT