BE paralajmëron Ballkanin Perëndimor kundër varësisë nga gazi amerikan, mes tyre edhe Shqipërinë

Bota

gaz-6ab69c3639098.jpg

Presioni në rritje nga kompanitë amerikane të energjisë për të zgjeruar praninë e tyre në Ballkanin Perëndimor ka nxitur shqetësime serioze në Bashkimin Evropian. Zyrtarët në Bruksel paralajmërojnë se investimet e propozuara në infrastrukturën e gazit rrezikojnë t’i mbajnë vendet e rajonit të varura nga lëndët djegëse fosile, pikërisht në kohën kur ato përpiqen të përmbushin objektivat e energjisë së pastër për anëtarësim në bllok.

Shqipëria, Kosova si dhe Bosnja e Hercegovina kanë shprehur interes për të blerë vëllime të mëdha gazi natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara dhe për të zhvilluar infrastrukturën e nevojshme pritese. Qeveritë e rajonit e arsyetojnë këtë hap me nevojën për një karburant tranzicioni, me qëllim zëvendësimin e importit të karburantit rus dhe uljen e konsumit të qymyrit.

Në rastin e Shqipërisë, ku gazi përbën aktualisht vetëm 1.8 për qind të përzierjes energjetike, varësia e lartë nga energjia hidroelektrike po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme për shkak të thatësirave të shpeshta të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Sidoqoftë, ekzekutivi i BE-së vë në pikëpyetje nevojën reale për këto projekte komplekse, duke pasur parasysh kërkesën minimale të brendshme dhe rrezikun e bllokimit të këtyre tregjeve në një varësi afatgjatë nga importet e huaja.

Zgjerimi i sektorit amerikan të gazit në rajon mbështetet nga strategjia e administratës Trump për dominim energjetik, duke shfrytëzuar braktisjen e gazit rus nga Evropa dhe shtrëngimin e tregjeve globale.

Përfaqësuesi i ekzekutivit të BE-së për diplomacinë energjetike në Ballkanin Perëndimor, András Hujber, nëntrizoi se angazhimi i këtyre vendeve për integrim evropian kërkon dekarbonizim të plotë dhe heqje graduale të lëndëve djegëse fosile, çka bie ndesh me zgjerimin e infrastrukturës së gazit.

ME TE LEXUARAT