As paratë, as pamja/ Cilat janë dy cilësi që e bëjnë një partner të shkëlqyer

Në kërkim të një partneri me të cilin mund të ndihesh e sigurt dhe e lumtur, pamja fizike dhe gjendja ekonomike mund të të tërheqin fillimisht, por nuk janë ato që garantojnë një marrëdhënie të qëndrueshme. Sipas një studimi, dy nga cilësitë më të vlerësuara te një partner i mundshëm janë mirësia dhe inteligjenca.
Studiuesit në Brazil anketuan 778 persona të moshës 18 deri në 64 vjeç, duke u kërkuar të vlerësonin cilësitë që i konsideronin më tërheqëse te partnerët e mundshëm. Në listë përfshiheshin pamja fizike, shëndeti, gjendja ekonomike, inteligjenca dhe mirësia.
Rezultatet treguan se mirësia dhe inteligjenca renditeshin më lart se pasuria dhe pamja fizike, pavarësisht gjinisë apo orientimit seksual. Pasuria ishte faktori më pak i rëndësishëm për të dyja gjinitë, ndërsa pamja fizike, megjithëse vlerësohej disi më shumë nga burrat, sërish nuk kishte të njëjtën peshë si cilësitë e karakterit.
Studimi zbuloi gjithashtu se, pasi arrihet një nivel i caktuar tërheqjeje fizike dhe të ardhurash, rëndësia e këtyre faktorëve zvogëlohet. Ndërkohë, ata që kërkonin një marrëdhënie afatgjatë kishin më shumë gjasa të vlerësonin mirësinë dhe inteligjencën.
Psikologu João Francisco Goes Braga Takayanagi, i cili drejtoi studimin, argumentoi se zhvillimi i inteligjencës dhe i personalitetit mund të jetë mënyra më e mirë për të tërhequr një partner të përshtatshëm. Tërheqja mund të ndihet që në takimin e parë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se dy njerëz janë të duhurit për njëri-tjetrin.


