Ambasada e Zvicrës reagon për protestat: Të ulen tensionet, t’i jepet përparësi dialogut
Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private gjatë demonstratave të fundit në vend. Përmes një reagimi publik, ambasada u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv për zgjidhjen e tensioneve.
Në deklaratën e saj, pala zvicerane thekson se e drejta për tubim paqësor është një element thelbësor i një shoqërie demokratike, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Njëkohësisht, ambasada u bën thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë dhe të mbrojnë plotësisht të drejtën për protestë paqësore, si dhe lirinë e medias.
Një mesazh i veçantë u drejtohet edhe forcave të sigurisë, të cilave u kërkohet të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Reagimi i Ambasadës së Zvicrës vjen në një klimë të tensionuar, ndërsa situata gjatë protestave ka ngritur shqetësime për sigurinë publike, mbrojtjen e pronës dhe garantimin e të drejtave demokratike në vend.


