Policia ndërhyn në Universitetin e Vlorës, shoqërohen 6 persona pas njoftimit për pengim të procesit mësimor

Prania e efektivëve të Policisë së Shtetit në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë ka shkaktuar reagime, pasi dega e Partisë Demokratike e ka cilësuar ndërhyrjen si një përpjekje për të frikësuar studentët dhe për të shmangur bojkotin e mësimit. Lidhur me pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Policia ka dhënë një sqarim zyrtar, duke deklaruar se ndërhyrja u krye pas një njoftimi nga administratori i universitetit për pengimin e procesit mësimor.
Sipas Policisë, rreth orës 11:51, administratori i universitetit ka njoftuar Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për praninë e një grupi prej 30–40 personash, të moshave të ndryshme, të cilët, sipas njoftimit, po pengonin zhvillimin normal të mësimit në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e fakultetit dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, me qëllim që studentët të vijonin leksionet në auditore. Në vijim, gjashtë persona janë shoqëruar në ambientet e Policisë, të dyshuar si organizatorë të grupimit.

