Alarm për drejtuesit e mjeteve/ Vetëm 7 nga 50 kalojnë testin për rimarrjen e patentës pas humbjes së pikëve

Vetëm një pjesë e vogël e drejtuesve të automjeteve që kanë humbur të gjitha pikët e lejes së drejtimit po arrijnë të kalojnë me sukses ritestimin për rimarrjen e patentës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në sesionin e fundit të provimit u paraqitën 50 kandidatë, por vetëm 7 prej tyre arritën ta kalonin testimin dhe të rifitonin lejen e drejtimit.
Shifrat bëhen edhe më domethënëse kur analizohen të dhënat e grumbulluara që nga qershori i vitit 2022, periudhë kur nisi ritestimi i drejtuesve që kishin humbur të gjitha pikët e patentës. Gjatë kësaj kohe janë regjistruar 3.859 aplikime për ritestim, ndërsa vetëm 533 drejtues kanë arritur të rimarrin patentën, çka përfaqëson rreth 13.8% të totalit.
Të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e drejtuesve që kanë humbur të drejtën për të drejtuar mjetin nuk arrijnë të kalojnë provimin teorik, pavarësisht se më parë kanë qenë të pajisur me patentë dhe kanë qarkulluar në rrugët e vendit.
DPSHTRR u bën thirrje kandidatëve që, përpara se t'i nënshtrohen ritestimit, të përgatiten përmes platformës zyrtare të simulimit online dhe aplikacioneve të dedikuara për telefonat celularë.
Institucioni e shoqëroi publikimin e statistikave edhe me një apel për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se rrugët kanë nevojë për drejtues të përgjegjshëm.


