Zjarri në pallatin pranë QSUT/ Miratohet ndihma financiare për familjet e prekura

Aktualitet

Zjarri në pallatin pranë QSUT/ Miratohet ndihma financiare për

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një vendim për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare për familjet dhe individët e prekur nga zjarri i datës 14 prill 2026, që përfshiu një pallat në rrugën e Dibrës, pranë QSUT.

Sipas vendimit, familjet e dëmtuara do të përfitojnë një ndihmë mujore në vlerën 40 mijë lekë, e cila do të jepet deri në momentin e sistemimit përfundimtar në banesat e rikonstruktuara. Masa synon të garantojë strehim të përkohshëm dhe mbështetje financiare për qytetarët që humbën ose pësuan dëmtime në banesat e tyre nga zjarri.

Për të përfituar ndihmën, qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës pranë njësive administrative ku janë të regjistruar, përfshirë dokument identifikimi, certifikatë familjare, dokumente pronësie mbi banesën e dëmtuar si dhe një deklaratë për vërtetësinë e të dhënave. Gjithashtu kërkohet vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës që provon se familjarët madhorë nuk zotërojnë banesë tjetër në të njëjtën njësi vendore.

Ndihma financiare do të monitorohet çdo muaj dhe do të ndërpritet në momentin që familjet sistemohen përfundimisht në banesat e rikonstruktuara. Në rastet kur konstatohet përfitim i padrejtë, do të nisin procedurat për kthimin e shumave të përfituara.

Efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2026, në kuadër të programit për mbrojtjen civile dhe emergjencat.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit do të raportojë çdo tre muaj pranë Këshillit Bashkiak për zbatimin e vendimit dhe listën e përfituesve.

ME TE LEXUARAT