Zjarri në Krujë, Lamallari: Mirënjohje për efektivët që luftuan me flakët, çdo sekondë vlen

Aktualitet

Zjarri në Krujë, Lamallari: Mirënjohje për efektivët

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar sërish pas situatës së rëndë të krijuar nga zjarri në Malin e Krujës, ku dhjetëra banorë u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre.

Lamallari, i cili shoqërohej nga kreu i Policisë së Shetit, Skënder Hita dhe  drejtorin  e Policisë së Tiranës Oliger Torba, vlerësoi punën e efektivëve të Policisë së Shtetit, zjarrfikësve dhe Forcave të Armatosura, të cilët u angazhuan për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e flakëve.

“Në këto situata duhet të luftojmë me kohën, me rrezikun dhe t’i kuptojmë njerëzit me empati. Nuk është hera e parë dhe jam i bindur që nuk do të jetë hera e fundit që misioni fisnik i detyrës që ju mbani spikat në momente vendimtare, ku çdo sekondë vlen.

Kruja sot është më e qetë dhe më krenare se mbase asnjëherë më parë për vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat me uniformë, të cilët shërbyen me kurajë, përgjegjësi dhe empati përballë rrezikut kritik të zjarrit të favorizuar nga era e fortë. Respekt!”, tha Lamallari.

Ministria e Punëve të Brendshme falënderoi rreth 300 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët, së bashku me zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura, u angazhuan në operacionin për përballimin e situatës.

Ministria bëri të ditur se në terren u angazhuan edhe forcat speciale dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë, autobotet dhe mjetet ujëhedhëse të Policisë së Shtetit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, efektivët mundësuan evakuimin e banorëve në kushte të vështira, duke qëndruar në terren deri në përfundimin e operacionit.

“Ju bëtë të mundur evakuimin e banorëve në kushte tensioni dhe në garë me kohën, duke qëndruar me guxim, profesionalizëm dhe mirësi deri në fund”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

ME TE LEXUARAT