Zjarr në pallatin 30-katësh në Golem, zjarrfikësja ndërhyn me vështirësi

Një incident i rrezikshëm është regjistruar në zonën e Golemit, ku një zjarr ka përfshirë një pallat 30-katësh, një ndër ndërtesat më të larta në vijën bregdetare të Durrësit.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer në një nga apartamentet e godinës, duke krijuar panik te banorët. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur disa mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për të vënë situatën nën kontroll.

Ndërhyrja paraqitet e vështirë për shkak të lartësisë së konsiderueshme të objektit dhe mungesës së mjeteve të specializuara, si shkallët e përshtatshme për ndërtesa shumëkatëshe. Ekipet janë fokusuar në izolimin e vatrës së zjarrit për të parandaluar përhapjen në pjesët e tjera të pallatit.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Deri në këto momente, nuk raportohet për persona të lënduar, por situata vijon të mbetet në monitorim të vazhdueshëm.


