Zhduket vera e Ergys Agasit, në kërkim Eno Agasi, dyshohet se zhvendosi shishet me vlerë qindra milionë lekë

Jo vetëm Ergys Agasi, por edhe shishet e tij të verës, që kapin një vlerë prej qindra milionë lekësh, janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
Një tjetër skandal është zbuluar nga organet e drejtësisë, ku kësaj here dyshohet se fshihet i afërmi i Ergys Agasit, i shumëkërkuar nga SPAK në dosjen e bujshme të AKSHI-t, ku dyshohet se përmes dhunës dhe grupeve të organizuara janë paracaktuar fituesit e tenderave publik.
Vizion Plus mëson se prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim Eno Agasi, i cili akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë e mallrave dhe pastrim parash.
Eno Agasi dyshohet se është personi që ka zhdukur nga kantina e Ergys Agasit shishet me verë, që kapin në treg shifra marramëndëse. Burimet tregojnë se kur hetuesit e BKH shkuan në banesën e Agasit, zbuluan një kantinë me verë dhe, sipas procedurës, ata njoftuan drejtorinë e doganave për shkak se vera ishte kontrabandë. Doganat bënë inventarin përgjatë disa orëve dhe përllogaritën një dëm prej 400 mln lekësh për buxhetin e shtetit nga mospagimi i akcizës.
Për shkak se ishte natë dhe nuk mund të bëhej transporti, malli u la në ruajtje në vilë. Nuk dihet se cilët kanë qenë personat që kanë patur për detyrë ruajtjen e objektit. Por të njëjtat burime bëjnë me dije se pikërisht gjatë natës dyshohet se Eno Agasi e ka hequr verën dhe më pas ka hequr gjithashtu serverat e kamerave të sigurisë. Të nesërmen, kur autoritetet doganore mbërritën në vilën e Ergys Agasit, gjetën kantinën të boshatisur.
Ndërkohë, Ergys Agasi dyshohet se ndodhet jashtë shtetit, në arrati, së bashku me biznesmenin tjetër Ermal Beqiraj.
Dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, dyshohet se kanë marrë peng një biznesmen, ku e kanë kërcënuar që të heqë dorë nga ankimimet për tenderat te AKSHI. Për këtë dosje, gjithashtu në rrjetën e SPAK përfundoi dhe drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, të cilët u lanë në arrest shtëpie.
/vizionplus.tv


