Zbardhen përgjimet e Suel Çela në Sky Ecc! Si urdhëroi Bruno Hazizollin të takojë Luan Tabakun për të ndikuar që të bëhet zv.drejtor në ASHK Elbasan

Aktualitet

Zbardhen përgjimet e Suel Çela në Sky Ecc! Si urdhëroi

Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dosjen e SPAK për Suel Çelën, i cili ndikonte për emërimin e drejtuesve të institucioneve. Nga hetimet e SPAK del se Suel Çela përdorte emra të tjerë për të fshehur pasurinë e tij.

Një qytet, që shpesh është tronditur nga atentate mafioze me viktima të shumtë, midis tyre edhe të pafajshëm. Një qytet plumbash dhe gëzhojash, që kanë lënë shenjën e tyre traumatike te banorët e tij, që të vetmin kujdes kanë sigurimin e përditshmërisë së tyre. Ky është Elbasani, qyteti në kërthi të Shqipërisë, një koridor që ka ndërthurur gjithmonë interesa të rëndësishme të grupeve të krimit të organizuar.

Ku ndër vite një nga bandat që jo vetëm sundoi qytetin por edhe organizoi jetën e tij politike ishte edhe ajo e Suel Çelës. Që krahas përplasjeve të forta që pati me armiqtë e tij, një ndër ta edhe Ardian Çapja, shtriu duart edhe në emërimet në krye të aparatit shtetëror në Elbasan. Duke vendosur për qëllime të veta se kush do të jetë në krye të institucioneve, kjo më qëllim për të siguruar jo vetëm pushtet politik por edhe ekonomik.

Suel Çela një figurë dominante e krimit të organizuar në qytet që kishte vendosur jo vetëm të sfidonte hapur rivalët e tij, por po kështu të ishte vetë shteti në Elbasan. Ashtu siç në fakt ka bërë në disa emërime të njerëzve të tij të besuar në pozicione kyçe në administratë.

Një prej tyre edhe Luan Tabaku i cili del se është emëruar në vitin 2022 në detyrën e Administratorit të Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, falë ndikimit të drejtëpërdrejtë nga banda e Suel Çelës. Të dhëna të cilat grupi hetues i përftoi jo vetëm pas zbërthimit të bisedave në Sky Ecc midis anëtarëve të organizatës kriminale.

Por edhe midis vetë kreut të kësaj bande Suel Çela dhe ushtarëve të tij. Të cilët në vitin 2020, filluan nga puna për të lëvizur Luan Tabakun, në këtë kohë zv.drejtor në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan, në pozicionin e Administratorit të UKT Elbasan. Gjë të cilën ia dalin ta bëjnë vetëm pas disa kohësh, duke siguruar edhe mbështetjen e tij në disa tendera të rëndësishëm, që u përfituan nga organizata në vazhdim.

Ka të dhëna se emërimi i shtetasit Luan Tabaku në detyrën e Zv-drejtorit në ASHK Elbasan, është kryer në ndikimin e drejtëpërdrejtë dhe influencës së shtetasit Suel Çela (Marjus Lulaj). Por si arriti grupi hetues në këtë përfundim dhe përse ata ngritën dyshimin e arsyeshëm se Luan Tabaku është një nomenklaturë e grupit kriminal të Suel Çelës. Çfarë zbuluan bisedat në Sky Ecc midis pjesëtarëve të grupit, që bindën prokurorët që të urdhëronin kontroll jo vetëm në banesën e Luan Tabakut, por edhe të disa biznesmenëve të tjerë në qytet, të dyshuar si lidhje të Suel Çelës. Si e takuan ata privatisht Luan Tabakun, duke i kërkuar apo urdhëruar që ta pranonte detyrën e titullarit në postin që ata i kishin caktuar?

Gjë që del edhe në një nga bisedat me një nga anëtarët e grupit të tij kriminal.

Bisedë e zhvilluar në vitin 2020, ku edhe pse në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën kishte pllakosur pandemia, Suel Çela e urdhëron atë që të takojë Luan Tabakun, dhe ky i fundit të pranojë atë punën e nëndrejtorit. Duke iu referuar kështu pozicionit të zëvendësit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan. I gjithë qëllimi i organizatës është që jo vetëm Luan Tabaku të jetë njeriu i tyre në poste kyçe, por siç ata shprehen në komunikimet në Sky Ecc, edhe të thajnë ndonjë fond. Synim personal që e kanë edhe anëtarët e bandës që shikojnë në perspektivë te figura e Luanin si drejtor, mundësinë e pasurimit nëpërmjet ndonjë tenderi.

Por grupi kriminal i Suel Çelës, kishin mendime të qarta në lidhje me Luan Tabakun dhe të ardhmen e tij. Gjë që e shpreh edhe vetë Suel Çela, që po punonte ndërkohë që Tabaku të ngrihej fillimisht në detyrën e nëndrejtorit të ASHK-së në Elbasan.

Gjë për të cilën ai urdhëron anëtarin e bandës së tij që të takojë Luanin dhe ta pranojë detyrën e lartë shtetërore që banda i ngarkonte ta përmbushte me dinjitet dhe profesionalizëm. Suel Çela gjatë një bisede me Bruno Hazizollin i kërkon këtij të fundit që të takojë pak Luan Tabakun dhe ta pranojë atë punën e nëndrejtorit.’.

Ai iu thotë anëtarëve të grupit të tij që duhet ta ruajnë Luanin dhe të mos e djegin për gjëra të vogla.

‘E kam futur, po takohet me njerëz të rëndësishëm. I thashë ti pse nuk më pyet mua’.

Mesa duket Luan Tabaku është i pranishëm me ndihmën e tij të vyer në shërbim të grupit kriminal të Suel Çelës, përgjatë gjithë vitit 2020.

Që nga koha kur organizata u investua që ai të merrte postin e nëndrejtorit të ASHK-së në Elbasan. Ku duket se ndër më aktivët në komunikimin me të janë Xhino Roka dhe Klaus Matishi. Ata vazhdojnë të mbajnë lidhjen midis Suel Çelës dhe Luan Tabakut, Sikurse është edhe kjo bisedë që mban datën 9 Dhjetor 2020, ku Xhino Roka gjatë një bisede me Klaus Matishin, i thotë këtij të fundit se pasi Lani është treguar i zellshëm të vihet në shërbimet e tyre për gjithçka që atyre u nevojitet, ata do ta ngrejnë Luanin në një detyrë ku ti dojë atij ajo… ‘Luanin do e bëjmë ku ti dojë qejfi…sepse mikun e mirë e kemi prej Luanit. Ja thashë edhe Ss, Luanit i kemi borxh shumë gjëra, na ka ndihmuar se s’ka…

Sipas të dhënave të analizuara nga sistemi TIMS rezulton se Luan Tabaku gjatë vitit 2021, ka udhëtuar me një automjet me të cilin kanë udhëtuar edhe shtetasit Sergej Hasanpapaj dhe Endri Çopja, të të dyshuar si anëtar të organizatës kriminale të drejtuar nga shtetasi Suel Çela. Të dy rezultojnë me precedent të theksuar kriminalë.

Por pikërisht ajo që duket se ka fundosur apo ka nxjerrë zbuluar lidhjen e ngushtë midis Luan Tabakut dhe organizatës kriminale të Suel Çelës, është korespondimi i bisedave në Sky Ecc, midis tij dhe bandës, dhe emërimit si titullar fillimisht në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe më pas si Administrator i Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan.

Aty ku del se Luan Tabaku ka shpërblyer organizatën e Suel Çelës me disa tendera të rëndësishëm. Arsyeja madhore siç ata thonë në bisedat midis tyre për të cilën ata vendosën njeriun e tyre të besuar në krye të këtyre dy institucioneve. Tendera që mesa duket kishin lidhje me sigurinë fizike të objekteve në administrim nga shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, që drejtohej nga Luan Tabaku. Por që pas emrit të subjektit fshihej organizata e Suel Çelës./bw

ME TE LEXUARAT