Vrasja në Vlorë me porosi nga Dubai? Del FOTO e tropojanit të ndaluar me Roan Brahimin

Eris Mehmetaj është i vetmi person i ndaluar deri më tani për atentatin e regjistruar mëngjesin e të dielës në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorë, ku u ekzekutua pranë banesës së tij 58-vjeçari Renato Hoxhaj.
Ai është ndaluar nga uniformat blu në Tiranë, pas identifikimit nga Policia e Vlorës të automjetit me të cilin ka lëvizur vrasësi ditën e krimit. Nga hetimi ka rezultuar se Mehmetaj ia ka dhënë automjetin para krimit autorit, teksa mjetit më pas i ishin ndërruar edhe targat.
Eris Mehmetaj i është sekuestruar edhe celulari, nga i cili grupi hetimor beson se do të marrë të dhëna që mund ta ndihmojnë për zbardhjen e vrasjes së Renato Hoxhajt.
Ai është me origjinë nga Tropoja, teksa pjesën më të madhe të kohës e kalonte në Dubai, ku reklamonte një jetë luksi në rrjetet sociale. Eris Mehmetaj njihet edhe si një mik Roan Brahimit alias Sidorel Prendit, i ekzekutuar në Maj të vitit të kaluar në Athinë, i cili strehohej në Dubai, teksa muajin e kluar i ekzektuan edhe të atin, Gjovalin Prendi në Lezhë.
Së fundmi ka dalë në media edhe një foto e Eris Mehmtajt me të ndjerin Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, ku shfaqen krah njëri-tjetrit.


