Vodhën dosjet e 3 prokurorëve të SPAK, GJKKO rrëzon rekursin për dy të hetuarit

Aktualitet

Vodhën dosjet e 3 prokurorëve të SPAK, GJKKO rrëzon rekursin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, të cilët akuzohen se kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin informatik të SPAK, duke vjedhur të dhëna nga postat elektronike të tre prokurorëve.

Të dy të dyshuarit, të cilët kanë qenë pjesë e administratës shtetërore, do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim ndërsa hetimet për ta vazhdojnë. Rrokaj, 33 vjeç nga Vlora, ish-punonjës i IMT-së, ka pranuar se ka ndërhyrë në email-et e prokurorëve, duke e justifikuar veprimin me “kuriozitetin personal”. Por hetuesit dyshojnë se pas këtij veprimi fshihet një skenar i organizuar kriminal.

Sipas hetimeve, Rrokaj i ka kaluar të dhënat e marra Zambak Gjonit, jurist dhe ish-zyrtar burgjesh, i cili dyshohet se më pas i ka shpërndarë tek persona të tretë. SPAK e konsideron këtë një ndërhyrje të rëndë në sistem, ndonëse ka sqaruar se serveri nuk është hakuar dhe hyrja është bërë vetëm në postat elektronike, të cilat dyshohet të kenë qenë të pambrojtura me fjalëkalime të thjeshta.

Ngjarja ka ndodhur në mars të këtij viti dhe brenda 48 orësh janë identifikuar dhe ndaluar dy të dyshuarit. GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka urdhëruar gjithashtu ndalimin e publikimit të materialeve të përfituara, ndërkohë që hetimet janë përqendruar në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe materialeve të shpërndara.

Çështja po trajtohet si organizim në grup kriminal dhe pritet të hetohet thellësisht për të zbuluar se kush qëndron pas këtij operacioni dhe cilat ishin interesat pas ndërhyrjes në dosjet e prokurorëve të SPAK.

ME TE LEXUARAT