Policia e Vlorës finalizon operacionin “Në gjurmë”, arrestohet një prej autorëve të vrasjes së 58-vjeçarit në prill

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka finalizuar operacionin “Në gjurmë”, duke arrestuar një prej autorëve të dyshuar për vrasjen e një 58-vjeçari që ndodhi në muajin prill të këtij viti në qytetin e Vlorës.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë. Si rezultat i hetimeve dhe lokalizimit të autorit, u bë i mundur arrestimi i shtetasit K.B., alias A.G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet si bashkëautor në vrasjen me paramendim të shtetasit R.H., 58 vjeç, ngjarje kjo që ndodhi më 27 prill 2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit.
I arrestuari është pjesëtar i një grupi kriminal aktiv në krime të rënda dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të.
Policia vijon hetimet dhe kërkimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë ngjarje. Materialet u referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.


