Përdoruesit alarmohen, bisedat me ChatGPT po dalin në kërkimet e Google

Bisedat që përdoruesit kanë bërë me ChatGPT dhe kanë ndarë përmes opsionit “Share” po rezultojnë të jenë të aksesueshme nga motorët e kërkimit, përfshirë Google. Kjo do të thotë se bisedat private, përfshirë informacion personal, mund të gjenden nga kushdo që kërkon në internet.
ChatGPT gjeneron një URL unike për çdo bisedë që përdoruesi dëshiron të ndajë. Këto lidhje mund të shihen nga çdo person që ka linkun. Por, nëse përdoruesi ka aktivizuar opsionin “Make this chat discoverable”, biseda bëhet e indeksueshme dhe e dukshme për motorët e kërkimit. Kështu, shumë nga këto biseda po shfaqen në rezultate kërkimi, duke i ekspozuar pa dashje përdoruesit.
Në këto biseda janë gjetur shpesh shfryrje emocionale, rrëfime personale, madje edhe të dhëna të ndjeshme si adresa email, emra fëmijësh, adresa shtëpish dhe mesazhe zanore.
OpenAI ka paralajmëruar prej kohësh përdoruesit që të mos ndajnë informacione sensitive në këtë mënyrë, por shumë prej tyre nuk ishin të vetëdijshëm për rrezikun.
Dane Stuckey nga OpenAI njoftoi në platformën X se kompania do të heqë opsionin “Make this chat discoverable” nga ChatGPT më 2 gusht, duke synuar të ndalojë këtë ekspozim të padëshiruar.
Për momentin, përdoruesit këshillohen të kontrollojnë cilësimet e privatësisë dhe të mos ndajnë biseda me përmbajtje të ndjeshme.


