Vetëm dy vatra zjarri aktive në vend, rreziku bie ndjeshëm në shumicën e qarqeve

Aktualitet

Vetëm dy vatra zjarri aktive në vend, rreziku bie ndjeshëm

Reshjet e shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës së zjarreve në të gjithë vendin. Nga 52 vatra zjarri të evidentuara, aktualisht aktive mbeten vetëm dy.

Njëra ndodhet në zonën perëndimore të tunelit të Skërficës, ku ndërhyrja e trupave zjarrfikëse është e pamundur për shkak të terrenit të thepisur dhe bimësisë së dendur. Vatra po monitorohet nga afër nga zjarrfikësit e bashkisë.

Tjetra është në fshatin Spatharë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe kullote. Në terren ndodhen forca nga të gjitha strukturat operacionale për të vënë nën kontroll situatën.

Ndërkohë, në disa zona të tjera vatrat janë nën monitorim për të shmangur riaktivizimin. Këto përfshijnë:
• Parkun Kombëtar të Prespës (fshati Lajthizë, bashkia Pustec)
• Fshatin Dishnicë, bashkia Korçë
• Fshatin Strelcë, bashkia Maliq
• Fshatin Veliq, bashkia Tropojë

Në operacionet për fikjen e zjarreve janë angazhuar 52 automjete zjarrfikëse, 722 forca operacionale dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura që vepruan në dy zona të ndryshme.

Për sot, priten reshje të dobëta deri në mesatare në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Durrës, si dhe reshje të dobëta në pjesën tjetër të vendit. Sa i takon nivelit të rrezikut nga zjarret, ai mbetet i lartë në Elbasan, Fier, Berat dhe Korçë. Në qarqet e tjera parashikohet një nivel rreziku i moderuar.

Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Çdo vatër e dyshimtë duhet të raportohet menjëherë pranë strukturave përkatëse.

ME TE LEXUARAT