Vëllai i policit i shkruan Berishës pas ngjarjes në Vlorë: “Kamerieri e ofendoi, klienti e qëlloi me pëllëmbë”

Aktualitet

Vëllai i policit i shkruan Berishës pas ngjarjes në Vlorë:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një mesazh që i ka ardhur nga Flamur Isufi, vëllai i oficerit të policisë Ardian Isufi, i përfshirë në një konflikt të ndodhur në një lokal në Vlorë me një 17-vjeçar kamerier.

Në mesazhin e ndarë publikisht, Flamur Isufi pretendon se vëllai i tij nuk ka dhunuar kamerierin, por përkundrazi, ka ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, i cili nisi pas ofendimeve të kamarierit ndaj një klienti në tavolinë.

Sipas tij, kamerieri ka pasur një sjellje provokuese të qëllimshme për shkak të detyrës që oficeri kishte mbajtur më herët në Policinë e Vlorës. Konflikti ka degjeneruar në goditjen e kamerierit me pëllëmbë nga klienti tjetër, ndërsa Ardian Isufi, sipas vëllait të tij, ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe nuk ka ushtruar dhunë.

”Unë që po të shkruaj quhem Flamur Isufi. Unë jam vëllai i oficerit të policisë Ardian Isufi. Ngjarja nuk është si jua kanë thënë. Vëllai im nuk e ka goditur kamarierin, përkundrazi, për të shmangur konfliktin në tavolinë, për shkak të sjelljes provokuese të kamarierit, që qe e paramenduar nga pronari i lokalit për shkak të detyrës që ka mbajtur në policinë e Vlorës, është ngritur nga tavolina dhe e ka këshilluar të jetë i sjellshëm me klientët. Kamarieri ka vazhduar debatin me personin tjetër, duke e ofenduar. Personi i ndodhur përballë fyerjeve godet me pëllëmë kamarierin. I ndodhur përballë këtij fakti, vëllai im është futur në mes dhe i ka ndarë, duke hequr personin që kishte në tavolinë. Në asnjë moment vëllai im, siç e shikoni dhe në video, nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm që të cenonte kamarierin”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e shkruar nga vëllai i oficerit, i cili po ashtu shton se ky i fundit është në reanimacion me shpatull të thyer, me fraktura në trup, në kokë dhe fytyrë.

ME TE LEXUARAT