Vatër e fuqishme zjarri në Sasaj të Himarës, forcat në terren përpiqen të frenojnë përhapjen

Aktualitet

Vatër e fuqishme zjarri në Sasaj të Himarës, forcat në

Një vatër e fuqishme zjarri ka shpërthyer pas mesnatës në fshatin Sasaj të Himarës, duke vënë në alarm banorët dhe autoritetet. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, kanë filluar të zbresin drejt zonave të banuara, duke rrezikuar drejtpërdrejt fshatin me rreth 30 banorë.

Në vendngjarje janë angazhuar forca të shumta të ushtrisë, zjarrfikësve dhe emergjencave civile, të cilët gjatë natës kanë krijuar një brez sigurie për të ndaluar përhapjen e zjarrit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, konfirmoi përmes një videoje në rrjetet sociale se situata është kritike dhe kërkon ndërhyrje të vazhdueshme. Ajo shtoi gjithashtu se në Kodin e ri Penal do të përfshihet zjarri si vepër penale, qoftë i shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia, duke sjellë ndëshkime maksimale për përgjegjësit.

Përveç Sasajt, vatra aktive janë raportuar edhe në Lukovë dhe në zona të tjera të bregdetit jugor. Shqipëria prej javësh ndodhet nën sulmin e flakëve nga veriu në jug, ku janë djegur mijëra hektarë pyje, pemë frutore dhe janë dëmtuar apo kërcënuar edhe banesa.

Tre ditë më parë, situata e rënduar detyroi autoritetet të urdhërojnë evakuimin e banorëve në tre fshatra të Delvinës. Zjarret vazhdojnë të përbëjnë një emergjencë madhore kombëtare.

ME TE LEXUARAT