U dënua për dhunë në familje, 34-vjeçarja arrestohet në Rinas dhe dërgohet në burg me foshnjën 7-muajshe

Një 34-vjeçare është arrestuar në Aeroportin e Rinasit, menjëherë pas mbërritjes nga Gjermania, për të ekzekutuar një dënim me 2 muaj burg të dhënë në mungesë për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit.
Arrestimi u shoqërua me vështirësi për shkak të tre fëmijëve të mitur që ndodheshin me të, njëri prej të cilëve vetëm 7 muajsh, ndërsa dy të tjerët janë 2 dhe 4 vjeç. Sipas burimeve, 34-vjeçarja kërkoi që fëmijët të qëndronin me të, duke deklaruar se nuk kishte kujt t’ua linte.
Pas procedurave, autoritetet vendosën që gruaja të dërgohej në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ndërsa foshnja 7-muajshe mbeti me të. Fëmija 2-vjeçar pritet t’i bashkohet nënës në institucion gjatë ditës së nesërme, ndërsa për fëmijën tjetër janë marrë masa për kujdesin e tij nga familjarët.
Dënimi prej 2 muajsh përfshihet në ligjin e amnistisë, por autoritetet kanë vlerësuar se 34-vjeçarja i ishte shmangur ekzekutimit të vendimit, ndaj urdhri i arrestit u zbatua pas kthimit të saj në Shqipëri.