Atentati si në filma në Elbasan! Autori me paruke bjonde dhe maskë Halloween-i u ndoq nga fëmijët para se të qëllonte

Për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë, autorët e atentateve përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, nga maskat prej silikoni e deri te paruket apo aksesorë që ndryshojnë pamjen fizike. Një skenë e pazakontë, që të kujton filmat aksion, është zbuluar edhe nga hetimet për plagosjen e trefishtë të ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut në Elbasan.
Sipas të dhënave hetimore, autori, i cili ende nuk është identifikuar, kishte zgjedhur një maskim të veçantë. Ai ishte i veshur me xhup të zi, mbante doreza, një paruke bjonde me flokë të gjatë dhe një maskë të tipit Halloween, pamje që tërhoqi menjëherë vëmendjen e disa fëmijëve që ndodheshin në zonë. Pesë të mitur e ndoqën për disa minuta duke qeshur dhe duke u përpjekur të ndërvepronin me të, pa e ditur se përballë kishin një person të armatosur.
Vetëm pasi arriti t’u largohej fëmijëve, autori iu afrua verandës së lokalit ku ndodheshin klientët dhe hapi zjarr. Ai dyshohet se qëlloi gjashtë herë në drejtim të tavolinave, duke plagosur Armand Tomorricën, Renaldo Mancein dhe kamarierin Biorgi Hoxha.
Pas sulmit, autori u largua me shpejtësi në këmbë përmes rrugicave të lagjes. Një efektiv policie, që ndodhej rastësisht në lokal, tentoi ta ndiqte, por ai arriti të largohej. Gjatë arratisjes hodhi armën e përdorur në atentat, e cila më pas u gjet dhe u sekuestrua nga grupi hetimor.
Nga hetimet paraprake rezulton se tre të plagosurit nuk dyshohet të kenë qenë objektivi i sulmit. Sipas dyshimeve të hetuesve, shënjestra e vërtetë mund të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Oti i Elbasanit”, emër i njohur për autoritetet. Në momentin e të shtënave, ai ndodhej në të njëjtin lokal dhe, sipas burimeve, ishte ulur në të njëjtën tavolinë me dy prej personave që mbetën të plagosur.
Në dëshmitë e dhëna para grupit hetimor, tre të plagosurit, të cilët tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën, kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe se nuk kanë konflikte që mund të lidhen me ngjarjen. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe nipi i Kastriot Kilës, i cili, pasi u mor në pyetje, ka mohuar të ketë mosmarrëveshje apo konflikte që mund të shpjegojnë atentatin.