U arrestua sot në Angli, kush është shqiptari që përdhunoi 13 vjeçaren në makinë
Një shqiptar me dy emra, Denis Havalja alias Dashamir Havalja është lokalizuar dhe arrestuar provizorisht në Mbretërinë e Bashkuar, në pritje të ekstradimit për në Shqipëri. Ky shtetas është dënuar me 5 vite e 4 muaj burg për përdhunimin e një vajze të mitur.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2016 në qytetin e Bulqizës dhe referuar njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Denis Havaljas i kanë mbetur dhe 2 vjet e 10 muaj burgim për të vuajtur.
Falë shkëmbimit në kohë të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Mançesterit, është lokalizuar dhe prangosur në Angli në kuadër të operacionit të koduar "Alias", shtetasi shqiptar Denis Havalja alias Dashamir Havalja, 38 vjeç, lindur në Bulqizë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
I riu është dënuar për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi në vitin 2016, ka marrë në një automjet me targa angleze, një shtetase të mitur, me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale.
Interpol Tirana vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri, për të vuajtur dhe gjysmën e dënimit me burg që i ka mbetur.
Ngjarja në vitin 2016 në qytetin e Bulqizës
Shtetasi Denis Havalja është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, pasi vajza 13 vjeçare që u përdhunua prej tij bëri denoncim në polici. Sipas deklarimeve të saj, 38 vjeçari në atë kohë e kishte marrë me forcë në makinën tip "Range Rover" me targa të huaja në zonën e “Fushë Bulqizës” dhe e kishte çuar në periferi, ku kishte kryer marrëdhënie seksuale me forcë.
Ndërkohë, Denis Havalja vetë ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se me vajzën ishin të lidhur prej rreth një muaj dhe se s’kishte bërë asgjë jashtë dëshirës së saj.
Pavarësisht deklarimeve, shtetasi Denis Havalja alias Dashamir Havalja është shpallur fajtor dhe është dënuar me 5 vite e 4 muaj burg, nga të cilat i kanë mbetur për të shlyer dhe 2 vjet e 10 muaj. Është e paqartë sesi ai u lirua dhe u la të largohej nga Shqipëria, për t'u ndaluar 8 vite më pas.
Policia e Shtetit/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Falë shkëmbimit në kohë të informacioneve, arrestohet në Mbretëri të Bashkuar, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 38-vjeçar i cili në vitin 2016, kreu marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur.
Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, koordinimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Mançesterit, në kuadër të operacionit “Alias”, u kap dhe u arrestua provizorisht, në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasi Denis Havalja alias Dashamir Havalja, 38 vjeç, lindur në Bulqizë.
38-vjeçari është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi në vitin 2016, ka marrë në një automjet me targa angleze, një shtetase të mitur, me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet e 10 muaj burgim. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.