“Turistët nuk janë të frikësuar” – Turisti amerikan i bashkohet protestës dhe sfidon deklaratat për ndikimin në turizëm

Aktualitet

 

“Turistët nuk janë të frikësuar” – Turisti

Mes pankartave dhe thirrjeve të protestuesve shqiptarë, një nga mesazhet që ka tërhequr  vëmendje ishte ai i një turisti amerikan, i cili mbante në duar parullën: "Turistët nuk janë të frikësuar".

Mesazhi është interpretuar nga protestuesit si një përgjigje direkte ndaj deklaratave të qeverisë se demonstratat po krijojnë një imazh negativ për vendin dhe po ndikojnë tek vizitorët e huaj.

Por turisti amerikan nuk ishte i vetmi. Gjatë ditëve të fundit, në protestat kundër projektit në Zvërnec janë parë qytetarë nga vende të ndryshme evropiane dhe amerikane, të cilët kanë shprehur mbështetje për kauzën e mbrojtjes së mjedisit dhe të hapësirave natyrore të bregdetit shqiptar.

Për protestuesit, prania e turistëve në tubime rrëzon pretendimin se vizitorët po largohen apo po ndihen të pasigurt për shkak të protestave. Përkundrazi, ata argumentojnë se pjesëmarrja e të huajve tregon se shqetësimi për të ardhmen e Zvërnecit nuk është vetëm një çështje lokale, por një kauzë që gjen mbështetje edhe tek vizitorët që e vlerësojnë zonën për bukurinë e saj natyrore.

Fotografitë dhe videot e turistëve të rreshtuar krah protestuesve shqiptarë janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga momentet më simbolike të protestave të ditëve të fundit.

Ndërsa debati mes qeverisë dhe kundërshtarëve të projektit vijon, një gjë duket e qartë: të paktën një pjesë e turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet e tyre nuk janë qëndruar larg protestës, por kanë vendosur të bëhen pjesë e saj.

ME TE LEXUARAT