Tubimi para Kryeministrisë, protestuesja rilexon kërkesat drejtuar Qeverisë

Një qytetare nga protesta para Kryeministrisë, ripërsëriti kërkesat e protestuesve drejtuar Qeverisë, të lexuara për herë të parë nga Dritan Goxhaj dhe të rilexuara më pas edhe nga organizatorë e protestues të tjerë.
"Kërkojmë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:
* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.
Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:
* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.
* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre”, lexoi protestuesja.


