Sarandë/ Gjendet në det trupi i pajetë i turistit portugez, dyshohet për mbytje

Aktualitet

Sarandë/ Gjendet në det trupi i pajetë i turistit portugez,

Mbyllet me tragjedi kërkimi për turistin portugez që rezultonte i zhdukur në Sarandë. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë bërë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen nga deti të trupit të pajetë të shtetasit A. G., 57 vjeç, i cili ishte raportuar si i zhdukur më 27 korrik në zonën e lagunës “Buka e Vivarit”.

Turisti ishte parë për herë të fundit pikërisht në këtë zonë, ku edhe u gjet trupi i tij pa shenja jete. Dyshohet se ai është mbytur aksidentalisht gjatë notit, por shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet pas autopsisë që do kryhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Grupi hetimor është ende në terren dhe po vijon punën për të dokumentuar ligjërisht të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa autoritetet po bashkëpunojnë edhe me Ambasadën e Portugalisë për njoftimin dhe procedurat e mëtejshme me familjarët e viktimës.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh në jug të vendit që një turist humb jetën në det, duke rikthyer në vëmendje nevojën për më shumë masa sigurie në zonat bregdetare të frekuentuara nga pushuesit vendas dhe të huaj.

ME TE LEXUARAT