Vrasja e Anesti Ramës/ Gjykata lë në burg gruan, vajzën dhe të dashurin e saj, ja çfarë deklaruan të tre

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për tre personat e dyshuar për përfshirje në vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama.
Në pranga kanë përfunduar vajza e viktimës, Emalinda Rama, 26 vjeçe, bashkëshortja e tij, Valbona Rama, si dhe Çlirim Dogani – i dyshuar se kishte një lidhje intime me të bijën e viktimës. Të tre të ndaluarit janë marrë në pyetje dhe sipas burimeve nga gjykata, kanë mohuar çdo përfshirje në krim.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të rrethanave familjare që përfshijnë bashkëshorten dhe vajzën e viktimës si bashkëpunëtore të mundshme në vrasje. Hetimet deri tani hedhin dyshime të forta se vrasja është kryer në bashkëpunim, me motivet ende të paqarta, ndërsa pistat hetimore përfshijnë konfliktet e brendshme dhe marrëdhëniet personale të përfshira.
Prokuroria pritet të vijojë me hetime të thelluara, për të mbledhur prova të tjera që mund të vërtetojnë ose rrëzojnë akuzat e ngritura ndaj tre të dyshuarve. Në ndërkohë, familja e viktimës ende nuk ka reaguar publikisht për tragjedinë.


