Trump e emëroi në postin e Prokurores së Përgjithshme, kush është Pam Bondi?

Presidenti i zgjedhur Donald Trump në postet e anëtarëve të kabinetit ka zgjedhur mbështetësit e tij më të fortë.
Megjithatë, zgjedhja e ish prokurores Pam Bondi për postin e prokurorit të përgjithshëm mund të përballet me disa pyetje të vështira mbi çështjet etike dhe angazhimin e saj në fushën e lobimit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Uashington, Carolyn Presutti sjellë më shumë hollësi mbi karrierën e ish prokurore së Floridës Pam Bondi.
“Para se të merrja postin e prokurores së përgjithshme të Floridës, unë isha prokurore karriere për 18 vite.”
Pam Bondi njihet më së miri si prokurorja e parë e përgjithshme e Floridës, shteti ku ndodhet Mar-a-Lago, shtëpia e Presidentit të zgjedhur Donald Trump.
Ja çfarë i tha zonja Bondi Zërit të Amerikës në vitin 2012 kur u zgjodh për herë të parë.
“Posti më i lartë që unë kam dëshiruar është ai i prokurores së përgjithshme, kaq. Unë jam përqëndruar në këtë. Jam shumë e vendosur dhe e motivuar të bëjë punën e prokurores”, tha ajo në gusht të vitit 2012.
Zonja Bondi foli në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane në vitin 2016 kur Donald Trump ishte kandidati presidencial i partisë, tre muaj para se të fitonte për herë të parë presidencën.
“Unë e njoh Donaldin dhe jam krenar që e njoh atë”, tha ajo në gusht të vitit 2016
Një mbështetëse besnike e pretendimit të rremë se zoti Trump kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020, ajo ishte gjithashtu anëtare e ekipit ligjor të zotit Trump në gjyqin e tij të shkarkimit në Senat.
Së bashku me republikanët e tjerë, zonja Bondi mbështeti zotin Trump në gjyqin në Nju Jork, në të cilin një juri e shpalli atë fajtor lidhur me akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels.
Në fillim të dhjetorit, zonja Bondi vizitoi Kongresin, duke u takuar më senatorët për të siguruar mbështetjen e tyre para seancës së konfirmimit të saj në Senat për postin e prokurores së përgjithshme.
“Dua të sigurohem që ne të përmirësojmë reputacionin e agjencive si FBI-ja, atë të Departamentit të Drejtësisë dhe agjencitë e zbulimit. Duhet të rivendosim reputacionin e tyre si institucione jopolitike”, tha senatori republikan John Cornyn.


