Tregu i auditimit arrin në 16.6 milionë euro, renditja e 15 shoqërive më të mëdha

Aktualitet

Tregu i auditimit arrin në 16.6 milionë euro, renditja e 15

Të ardhurat e realizuara nga honorarët e shërbimeve të auditimit ligjor arritën në gati 17 milionë euro në vitin 2025. Publikohet renditja e 15 shoqërive më të mëdha audituese në vend

Tregu i auditimit në vitin 2025 qarkulloi 1.6 miliardë lekë, ose rreth 16.6 milionë euro, në volumin e të ardhurave të realizuara nga honorarët e shërbimeve të auditimit ligjor, me rritje prej 9.8% nga viti i mëparshëm.

Të dhënat u bënë të ditura nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), një autoritet rregullator i pavarur, i cili kontrollon zbatimin e kritereve ligjore tek audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar.

Nga një analizë e të dhënave të raportuara në raportin e veprimtarisë së BMP-së, një indikator i rëndësishëm është edhe tendenca në rritje e volumit të honorarëve nga shërbimet e auditimit ligjor, si një nga treguesit e rëndësishëm lidhur me vlerësimin e punës së audituesve, rrjedhojë e mbikëqyrjes efektive për sigurimin e cilësisë.

Tregu i auditimit paraqet ecuri në zgjerim, ku në vitin 2025 ka pasur një rritje mesatare prej 14,4% të të ardhurave vjetore të gjeneruara nga shërbimet e auditimit ligjor krahasuar me një rritje mesatare prej 5,9% të njësive ekonomike të audituara.

Tregu i auditimit arrin në 16.6 milionë euro, renditja e 15

Burimi: Bordi i Mbikëqyrjes Publike

Sipas të dhënave të BMP-së, tregu i auditimit në fund të vitit 2025 ka pasur 260 auditues ligjorë të regjistruar, nga të cilët 153 auditues ligjorë që e ushtrojnë aktivitetin si person fizik dhe 79 shoqëri auditimi, me 28 auditues ligjorë të punësuar pranë tyre.

Gjatë pesë viteve të fundit, të ardhurat e realizuara për shërbimet e auditimit kanë qenë në rritje si për shoqëritë e auditimit, ashtu edhe për audituesit ligjorë. Në vitin 2025, shoqëritë e auditimit shënuan 70% të të ardhurave nga shërbimet e auditimit, përkundrejt 30% të realizuara nga audituesit ligjorë.

Renditja

Në vitin e shtatë të publikimit të renditjes, Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka paraqitur një panoramë të shoqërive të auditimit dhe pozicionimin e tyre në këtë treg, bazuar në totalin e honorarëve të shërbimeve të kryera gjatë vitit 2025 për auditimin ligjor të njësive ekonomike.

Referuar publikimit në raportin e veprimtarisë për vitin 2025, Shoqëria e auditimit Forvis Mazars (pjesë e rrjetit ndërkombëtar me të njëjtin emër) ka vijuar të renditet e para edhe për vitin 2025, me 8.8% të honorarëve të faturuara. Megjithatë, në raport me vitin e mëparshëm, kur zinte 9.21%, shoqëria ka humbur një pjesë të tregut.

“Intrust” (pjesë e rrjetit JPA International) ka kaluar për herë të parë si shoqëria e dytë më e madhe audituese në vend, me 8.65% të totalit nga shërbimet e auditimit të honorarëve të faturuara, duke iu afruar ndjeshëm vendit të parë. Në vitin 2024, kjo shoqëri zinte 3.97% të tregut në fjalë.

Shoqëria ka parë një rritje të shpejtë, që pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit në fund të vitit 2022.

Shoqëria audituese “Kreston Albania” (pjesë e Kreston Global) ka ruajtur pozicionin e renditjes në vendin e tretë për vitin 2025, me 8.16%, referuar totalit të honorarëve të realizuara nga shërbimet e auditimit, duke shënuar  rënie të lehtë në përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm 2024 (8.22%).

Shoqëria e auditimit Ernst&Young (pjesë e rrjetit ndërkombëtar me të njëjtin emër) ka zbritur në vendin e katërt (7,85%), nga i dyti në vitin 2024 (8.48%) dhe i pari në vitin 2023 (8.13%).

Në vend të pestë renditet “Grant Thornton” (pjesë e rrjetit ndërkombëtar me të njëjtin emër) me 5.6% të tregut, nga 6.26% në 2024-n, duke ruajtur të njëjtin pozicion, pavarësisht se ka humbur pak peshë në raport me vitin e mëparshëm.

Një shoqëri me rritje të peshës së tregut është “RSM Albania” (pjesë e RSM International), që është ngjitur në vend të gjashtë (5.51%), nga pozicioni i tetë (3.66%) një vit më parë.

“Deloitte Abania” (pjesë e Deloitte) ka zbritur në vend të shtatë, me 3.85% të tregut të honorarëve të realizuara nga shoqëritë e auditimit në vitin 2025, nga 7.66% vitin e mëparshëm.

Shtatë shoqëritë e para, që janë të gjitha pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të njohura të auditimit, kanë realizuar gati 50% të të gjithë volumit të honorarëve të faturuara nga shërbimet e auditimit (48.4%), ose rreth 8 milionë euro. Pjesa tjetër e tregut, prej 8.6 milionë eurosh, është ndarë nga 72 shoqëri të tjera auditimi dhe 153 auditues ligjorë që e ushtrojnë aktivitetin si person fizik.

Në renditjen e 15 shoqërive më të mëdha, sipas honorarëve të auditimit në vitin 2025 ka tre hyrje të reja: “ILD-99 Audit” (1.59%), “Euro Audit, consultancy.co” (1.33%); “Filto Auditing” (1.33%).

(Për renditjen e plotë dhe peshën përkatëse shiko grafikun: Renditja sipas honorarëve të faturuara për shërbime auditimi për Shoqëritë e Auditimit, 2025).

Tregu i auditimit arrin në 16.6 milionë euro, renditja e 15

ME TE LEXUARAT