Tregtonte ilaçe të kontrabanduara, arrestohet administratori i një farmacie në Tiranë

Policia ka finalizuar një operacion kundër kontrabandës, duke arrestuar A. H., 35 vjeç, administrator i një farmacie në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë. Gjatë kontrollit u sekuestruan medikamente të dyshuara kontrabanduara me vlerë rreth 35,000 euro.
Procedimi penal është nisur edhe ndaj A. M., 33 vjeçe, e punësuar në mënyrë të paligjshme në farmaci. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar nën kodin “Medikamentet”.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medikamentet”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. H., 35 vjeç, dhe nisi procedimi penal për shtetasen A. M., 33 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në farmacinë që administronte shtetasi A. H., në bulevardin “Zogu i Parë” shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro”, njoftoi Policia e Tiranës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


