“Trajektorja”, sollën heroinë nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri, arrestohen dy persona, sekuestrohen lekë dhe euro

Si rezultat i një hetimi me metoda speciale, të mbikëqyrur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të dy shtetasve që dyshohet se do të transportonin me automjet, lëndë narkotike Heroinë, të trafikuar nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, finalizuan operacionin e koduar “Trajektorja”.
Automjeti i dyshuar, me të cilin lëviznin shtetasi nga RMV-ja, L. G., dhe shtetasi A. B., u ndalua për kontrolle, në aksin rrugor “Bulqizë–Librazhd”.
Nga kontrollet e imtësishme, u gjet në një çantë shpine, të fshehur në gomën e pasme të automjetit (furgon), 1 kg lëndë narkotike Heroinë, e cila dyshohet se ishte siguruar nga shtetasi L. G., në Maqedoni të Veriut.
Nga hetimi dyshohet se lënda narkotike ishte trafikuar nga ky shtetas, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Shqipëri, ku e priste me qëllim shitjen, shtetasi A. B..
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit L. G., 32 vjeç, banues në Strugë dhe A. B., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, lënda e dyshuar narkotike, automjeti (furgon) tip “Fiat”, 2 celularë, si dhe 40 000 lekë, 50 euro dhe 290 denarë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.


