“The Albanian Files”/ Berisha reagon pas deklaratës së Ramës: E trajton Shqipërinë si Sulltanatin e tij

Aktualitet

“The Albanian Files”/ Berisha reagon pas deklaratës së

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj episodit të fundit të podkastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për mungesë transparence dhe përpjekje për të justifikuar, siç u shpreh ai, keqpërdorimin e pasurive publike përmes projekteve të shumta arkitekturore.

Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Berisha deklaroi se prezantimi i qindra projekteve dhe bashkëpunimeve me studio të huaja nuk përbën sukses qeverisës, por, sipas tij, ngre dyshime serioze mbi mënyrën e financimit dhe qëllimin e tyre. Ai e cilësoi qasjen e Ramës si përpjekje për të krijuar një “imazh mbretëror” të pushtetit, duke e krahasuar atë me modele autokratike të së shkuarës.

Berisha ngriti gjithashtu pyetje mbi financimin e 523 projekteve të përmendura, duke kërkuar verifikim nga institucionet ndërkombëtare si Europol, Interpol dhe Eurojust për burimin e pagesave të këtyre studimeve.

Ai akuzoi kryeministrin edhe për konflikt interesi dhe përfitime familjare në zonën e Gjipesë, duke pretenduar se reagimi kritik ndaj prezantimeve të Ramës është i drejtë dhe i merituar.

Berisha e mbylli reagimin e tij duke e cilësuar situatën si dëshmi të, sipas tij, mungesës së llogaridhënies në qeverisje.

Video-mesazhi i Kryetarit të PD, Sali Berisha:

Të dashur qytetarë dhe qytetare.

Sot në monologun e mashtrimeve të së dielës Edi Rama u ndal gjerësisht në librin dosja shqiptare dhe sulmoi me egërsinë më të madhe duke besuar se emrat e studiove dhe arkitektëve që janë përfshirë në atë libër do të jenë një mburojë e tij para publikut shqiptar.

E vërteta është se ai flet për inkuizicion për protestën dhe intelektualët që kanë shkruajtur, por në realitet ai libër dëshmon më shumë se çdo gjë tjetër, Edi Ramën një Sulltan të një Sulltanati të shekujve më parë në të cilin vendi është tërësisht pronë personale e tij.

Ky libër dëshmon dhe njëherë mungesën e plotë totale të transparencës dëshmon përsëri se Edi Rama e trajton Shqipërinë si një pashallëk apo një bajrak të tij. Përpiqet, rreket të paraqesë emra, studio e të tjerë si mburojë, por në fakt dhe këtu harron se njerëzit kanë në memorien e tyre, në kulturën e tyre raportet më të shëmtuara me diktatorët, me despotët në kohëra i kanë patur arkitektët dhe kjo kështu ka qenë edhe në diktaturën hoxhiste.

Ndaj dhe nuk i bën përshtypje asgjë me ato emra apo me ato studio.

Ka dy momente shumë të rëndësishme.

Së pari, ato 523 projekte të paktën duhet të jenë paguar me miliarda euro për hartimin e tyre.

Kush i ka paguar këto projekte? Cili është burimi i parave të këtyre projekteve?

Ftoj Eurojust-in, ftoj Interpol-in, ftoj Europol-in të hetojnë fillësisht burimin e pagesave në këto studio.

Së dyti, Edi Rama në atë libër ka interesa familjare, ka plaçkitur në kundërshtim me të gjitha ligjet, kanionin e Gjipesë dhe ka vendosur aty hotelin e fildishtë, e qelqtë mbi kanion.

Përveç saj dhe në troje të tjera. Ndaj dhe reagimi i publikut, reagimi i protestës ndaj librit ishte një reagim dinjitoz, i merituar plotësisht.

 

 

ME TE LEXUARAT