Tensionet në Kuvend, reagon ministri Hoxha: Akte vandalizmi të ndëshkueshme ligjërisht

Aktualitet

Tensionet në Kuvend, reagon ministri Hoxha: Akte vandalizmi të

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar pas trazirave në Kuvend ditën e djeshme.

Ai thotë se aktet e opozitës janë të papranueshme dhe të ndëshkueshme ligjërisht dhe bëri me dije se policia dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin.

Reagimi i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha:

Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi. Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht. 

Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit.

Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese.

Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët.

ME TE LEXUARAT