SPAK sekuestron 25 pasuri ndaj grupit kriminal të dënuar në Belgjikë, para cash dhe sende luksi

Aktualitet

SPAK sekuestron 25 pasuri ndaj grupit kriminal të dënuar në

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar 25 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në kuadër të një hetimi pasuror që përfshin një grup kriminal të dënuar më parë në Belgjikë për vepra penale si vjedhja në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në njoftimin zyrtar të SPAK bëhet e ditur se pasuritë në fjalë përfshijnë prona të paluajtshme, objekte me vlerë, sende luksi, para cash dhe pajisje elektronike. Më konkretisht, janë sekuestruar 9 prona të paluajtshme, një subjekt tregtar me emrin “Guard Security”, si dhe 6 mjete motorike, përfshirë 3 automjete dhe 3 motorë.

Në shifrën monetare janë përfshirë 77,360 euro, 2,055,000 lekë dhe 1,150 paund britanik. Po ashtu janë konfiskuar 52 orë dore të markave të ndryshme luksoze, mbi 35 copë bizhuteri, 32 monedha ari, si dhe 15 pajisje elektronike, mes tyre 2 laptopë, 5 iPad dhe 8 kamera fotografike.

Sekuestrimi vjen si rezultat i një kërkese për ndihmë juridike nga autoritetet belge dhe u realizua pas verifikimeve se pasuritë në pronësi të shtetasve D.D. dhe familjarëve të tij – D.S., B.A., A.H., L.V. dhe D.H. – janë të dyshuara si të pajustifikuara dhe burim i veprimtarisë kriminale.

Shtetasit e përfshirë janë nën hetim pasuror sipas ligjit nr. 10192/2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera”, pasi rezultojnë të dënuar në Belgjikë për veprat penale të “vjedhjes në grup të strukturuar kriminal”.

Veprimet e ekzekutimit të sekuestros u kryen nga policia gjyqësore në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, sektori për hetimin e grupeve kriminale, në bashkëpunim me Administratorin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara në Tiranë.

SPAK thekson se ky veprim është pjesë e përpjekjeve për të goditur burimet financiare të grupeve kriminale dhe për të ndaluar aktivitetet e tyre kriminale në Shqipëri.

ME TE LEXUARAT