Letra drejtuar DASH-in për Berishën – 5 arsyet që jep kompania amerikane për heqjen e “non gratës”

Një ditë pas publikimit të letrës nga kompania amerikane e lobimit Continental Strategy, e kontraktuar nga Partia Demokratike me një kontratë 6 milionë dollarëshe, janë bërë publike pesë pikat kyçe mbi të cilat ajo i kërkon Departamentit Amerikan të Shtetit të heqë shpalljen “non grata” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ja çfarë thuhet:
1. Shpallje politike, pa prova faktike
Continental thotë se vendimi për ta shpallur Berishën “non grata” ka qenë politik, jo ligjor. Sipas tyre, ai nuk është akuzuar për terrorizëm, abuzim me të drejtat e njeriut apo krime të tjera të rënda. Madje, kompania kujton se Berisha ka qenë një aleat i SHBA-së për më shumë se 30 vjet dhe ka marrë vlerësime nga presidentë si Bush e Clinton. Sipas tyre, DASH nuk ka ofruar kurrë prova konkrete për akuzat ndaj tij – as pas kërkesës së kongresmenit Zeldin.
2. Shpallja ka dëmtuar politikën e jashtme të SHBA-ve
Sipas letrës, ky vendim ka përçarë opozitën, ka nxitur autoritarizmin e qeverisë Rama dhe ka shkelur balancën në politikën shqiptare. Berisha, si figurë opozitare, është goditur pa prova, ndërsa qeveria ka fituar hapësirë për të forcuar kontrollin. Ata e përshkruajnë Shqipërinë nën Ramën si një “narko-shtet” dhe akuzojnë administratën Biden për mbështetje ideologjike ndaj regjimeve të majta në rajon.
3. Kredencialet demokratike të Berishës
Letra e përshkruan Berishën si njeriun që drejtoi tranzicionin nga diktatura dhe themeloi Partinë Demokratike. Pavarësisht moshës apo rolit aktual, ai mbetet figura më e rëndësishme e opozitës. Heqja e shpalljes, sipas tyre, është e nevojshme për të rikthyer një rol neutral të SHBA-ve në politikën shqiptare.
4. Heqja e “non gratës” rikthen neutralitetin amerikan
Për Continental Strategy, shpallja e Berishës ishte një lëvizje ideologjike, e bërë nga administrata e mëparshme për arsye politike. Heqja e saj do të sinjalizonte se politika e jashtme e SHBA-së nuk do të përdoret për të ndikuar lojën politike të vendeve të tjera sipas bindjeve partiake të Uashingtonit.
5. Në përputhje me kritikat e Rubio dhe qasjen Trump
Letra i referohet edhe qëndrimeve të senatorit Marco Rubio dhe kritikave ndaj “politizimit” të sanksioneve nga Departamenti i Shtetit. Ata e krahasojnë rastin e Berishës me sanksionet ndaj grupeve si Houthit në Lindjen e Mesme, dhe e lidhin me qasjen më të ashpër që ka pasur administrata Trump për korrupsionin real. Ata akuzojnë lidhjet Rama–Soros për ndikim në këtë proces dhe kërkojnë që DASH të mos përdoret si vegël për interesa ideologjike.


