Sot 20 vite nga sulmi terrorist, Meta nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar 20 vjetorin e sulmit terrorist në SHBA, ku humbën jetën mbi 2 mijë persona. Përmes një postimi në Facebook, Meta nderon kujtimin e viktimave, ndërsa shkruan për marrëdhënien e SHBA-së dhe Shqipërisë ndër vite.
“Në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nderojmë kujtimin e paharruar të jetëve të humbura dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe popullin amerikan!
Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq.

Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë.
Mirënjohje për sakrificat e të gjithë ushtarakëve tanë dhe personelit mbështetës, që kanë sakrifikuar gjatë këtyre dy dekadave në vijën e parë kundër terrorizmit! I përjetshëm kujtimi i Kapiten Feti Voglit!”, shkruan Meta.


