S’kanë bërë kurrë pushime në 30 vjet martesë, gruaja çon burrin "në gjyq": Unë s’e di plazhin ku është

Violeta kërkon që burri i saj, Fadili të cilin e ka thirrur në “Shihemi në Gjyq” ta dëgjojë dhe të mos e lërë mënjanë siç ka bërë në 30 vite martesë. Gjatë rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Fadili ka shprehur vazhdimisht se “burri është burrë dhe gruaja grua” e sipas kësaj, “burri del, gruaja rri në shtëpi”.
Ai madje i është drejtuar vazhdimisht Violetës duke i thënë se prej tij ajo ka “hapur sytë”. Fadili thotë se ka qenë ai që e ka marrë Violetën nga Berati dhe e ka dërguar në Greqi. Violeta thotë se këtë e ka bërë vetëm që ta përdorë për punë por ata s’kanë bërë kurrë pushime bashkë.
Fadil: Po unë ia hapa sytë zonja Eni, kush ia hapi sytë? Unë ia hapa sytë se ishte në fshat që rrinte aty e ato që tha. Atje duhet të rrinte ajo, jo të vinte me mua në Greqi prandaj i hapi sytë që erdha unë këtu. Për çfarë më solli mua këtu ajo?
Violeta: Po në Greqi më ke marrë po do ta ndalosh këtë punë se më ke marrë për punë edhe atje. Për punë më ke marrë edhe atje!
Fadil: Për punë, pse për çfarë?
Eni Çobani: Po si për çfarë, pse për punë e merr gruan ti, s’e merr se e do gruan?
Fadil: Për punë moj, të punojë! Për çfarë kemi ikur andej, për qejf?
Violeta: Të punojmë të dy, jo të vesh ti të dalësh ku të të dojë qejfi!
Ardit Gjebrea: O Violeta, pushimet ku i keni bërë ju bashkë?
Violeta: Asnjëherë, asnjëherë, s’kemi një foto të dy ti dashke të dalim në plazh! Unë s’e di plazhin ku është! Nuk e di.
Fadil: Pse e thua, plazhin afër e ke, të kam çuar unë.
Violeta: Ku, te lumi i Beratit?
Fadil: Të kam çuar moj. Po pse ça do ti, përditë do? Përditë plazh do ti? Nuk ke faj ti moj jo.

