SKANDAL/ Mbetjet spitalore të rrezikshme mbulohen me dhe në Mihaj të Koplikut

Aktualitet

SKANDAL/ Mbetjet spitalore të rrezikshme mbulohen me dhe në Mihaj

Emisioni investigativ Fiks Fare ka trajtuar një rast shqetësues të ndotjes mjedisore në fshatin Mihaj të Koplikut, pas denoncimeve dhe videove që mbërritën në redaksi.

Pamjet e shpërndara treguan mbetje spitalore të hedhura mes mbetjeve urbane, duke paraqitur një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe për mjedisin. Gazetarët e Fiks Fare, për të verifikuar situatën, udhëtuan menjëherë drejt fshatit Mihaj dhe zbuluan se mbi grumbullin e mbetjeve ishin hedhur shtresa të tjera, në një përpjekje të dukshme për t’i fshehur ato.

Një fadromë ishte parkuar disa metra larg, dhe, pas një hetimi më të thelluar, gazetarët zbuluan kartona dhe qese të mbushura me mbetje spitalore, duke vërtetuar se mbulimi i tyre ishte një veprim i qëllimshëm.

Pak minuta pas mbërritjes së ekipit të Fiks Fare, në vendngjarje mbërritën inspektorët e IKMT-së, të cilët rrethuan zonën me shirita sigurie. Të pyetur nga gazetarët, ata konfirmuan se mbulimi i mbetjeve ishte një shkelje e ligjit dhe thanë se, që nga dita e djeshme, policia kishte marrë përgjegjësinë për ruajtjen e tyre deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Gazetarët e Fiks Fare u drejtuan në komisariatin e policisë për më shumë informacion. Shefi i krimeve, i cili doli për të dhënë sqarime, e pranoi se situata ishte problematike, por mohoi që mbetjet ishin mbuluar. Pasi iu treguan pamjet e incidentit, ai tha se mbulimi i tyre do të ishte një shkelje ligjore dhe e siguroi se policia kishte ndjekur procedurat e duhura, duke e referuar çështjen në prokurori.

Emisioni kërkoi gjithashtu një qëndrim nga Bashkia e Malësisë së Madhe. Nënkryetari i bashkisë fillimisht u shpreh se mbetjet ishin mbuluar për të parandaluar shpërndarjen e tyre, por më pas tentoi të mohojë përfshirjen e bashkisë në këtë veprim. Pasi një bisedë telefonike me redaksinë, ai pranoi se kishte gabuar dhe tha se bashkia nuk ishte përgjegjëse për mbulimin e mbetjeve.

Fiks Fare u interesua edhe te drejtori i Spitalit të Malësisë së Madhe, i cili u distancua nga ngjarja, duke thënë se spitali ka një kontratë me një kompani për trajtimin e mbetjeve dhe se sasia e mbetjeve spitalore që prodhon ky institucion është shumë e vogël.

Përgjegjësi i IKMT-së sqaroi se ndaj Bashkisë së Malësisë së Madhe janë marrë masa me gjobë për këtë incident.

ME TE LEXUARAT